Lidhje

OBSH: Emergjencë ndërkombëtare nga ebola


Drejtuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë Margaret Chan deklaroi sot emergjencë ndërkombëtare për shkak të përmasave të shpërthimit të ebolës në Afrikën perëndimore.

"Sot po deklaroj se shpërthimi i virusit ebola është një emergjencë publike në shkallë ndërkombëtare. Vendimi i komisionit ishte unanim. Ai pranon natyrën serioze dhe të pazakontë të virusit dhe potencialin e përhapjes së mëtejshme, por edhe nevojën për koordinim të fuqishëm ndërkombëtar të përgjigjes".

Drejtoresha e OBSH-së tha se kjo deklaratë nuk do të thotë se të gjitha apo shumë vende do të kenë raste të ebolës. Ajo tha se vigjilenca ndaj përhapjes së virusit është e rëndësishme veçanërisht në Guine, Liberi dhe Siera Leone ku më shumë se 900 njerëz kanë vdekur nga ebola që nga muaji mars.

Ndërkohë, kreu i Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve tha gjatë një seance në kongres për ebolën se qendra e tij do të dërgojë 50 ekspertë në Afrikën Perendimore në qëndër të krizës. Vendimi vjen pasi Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve aktivizoi pikën e operacioneve të emergjencës në nivelin më të lartë në përgjigje të krizës.

Në Liberi, ushtria po kufizon udhëtimet në zonat e goditura më rëndë ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Disa liberianë besojnë se kufizimet shkojnë më tej se ç’duhet.

"Njerëzit jetojnë këtu pasi janë në varësi të familjes dhe duhet të sigurojnë ushqim për fëmijët e tyre. Shumë njerëz nuk kanë mundësi për të shkuar tek fëmijët e tyre," thotë një banor.

"Tani për tani, as mund të kalojmë gardhin për të marr ujë. Qysh dje në mbrëmje nuk kemi marrë dot ujë për të pirë dhe s’kemi ujë as për t’u larë," thotë një banore.

Autoritetet besojnë se shqetësimi për kufizimet e udhëtimit ndoshta do të shmangë ekspozimet ndaj virusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ebola ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 930 njerëzve në Afrikën Perendimore, shumica në Liberi, Siera Leone dhe Guine.

XS
SM
MD
LG