Lidhje

Qeveria dhe opozita komentojnë 300 ditë qeverisje


Qeveria dhe opozita japin vlerësime të ndryshme mbi rezultatet e qeverisjes në 300 ditë e para të punës së kabinetit qeveritar. Kryeministri Rama dhe gjithë ministrat bënë sot një përmbledhje të rezultateve të deritanishme, ku renditën një seri të dhënash, që sipas tyre, tregojnë ndryshimet e rëndësishme që po ndodhin në jetën dhe ekonominë e vendit.

Shqipëri: Polemika qeveri-opozitë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:48 0:00

Zoti Rama tha se koalicioni i majtë PS-LSI po normalizon marrëdhëniet e shtetit me biznesin, me median, me shoqërinë civile dhe me opozitën, të cilës i ka dhënë në parlament hapësira të mëdha për të ndihmuar në ecurinë e reformave me interes kombëtar. Ai tha koalicioni PS-LSI është i rëndësishëm për integrimin në BE dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. “Shqipëria e meritoi statusin e vendit kandidat dhe nuk e kërkoi si një lëmoshë, po ktheu edhe dinjitetin e vet në marrëdhëniet diplomatike me jashtë” - tha ai.

Zoti Rama tha se asnjëherë më parë qeveria nuk ka qenë kaq llogaridhënëse para parlamentit, ndërsa sesionin e ardhshëm parlamentar sfida kryesore mbetet reforma në drejtësi, për të cilën ai kërkoi edhe bashkëpunimin e opozitës. Sipas tij, drejtësia është në gjendje të rëndë, dhe çdo ditë që kalon korrupsioni i gjyqtarëve dëmton demokracinë dhe të ardhmen e vendit.

Por opozita i është përgjigjur statistikave të qeverisë me të tjera shifra, që sipas saj, zbulojnë spekullimet dhe propagandën e qeverisë. Në mbledhjet e grupit parlamentar të PD, dhe në një seri tubimesh me degët e partisë opozitare në rrethe, kryetari i PD,Lulzim Basha, i vlerësoi si të dështuara 300 ditët e para të qeverisë Rama. Ai theksoi në tubime të Durrësit, Beratit, Pukës dhe shumë qytete të tjera se qeveria po bën shfaqje propagandistike.

Opozita e ka akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe arrogancë në veprimtarinë parlamentare dhe administrimin e jetës në tërësi, duke shkarkuar specialistë dhe duke emëruar militantë nga PS dhe LSI. Megjithë minutazhin e bollshëm në fjalimet parlamentare, opozita thotë se ndihet e kërcënuar në parlament dhe disa herë ka braktisur punimet plenare.

Qeveria dhe opozita ende nuk po ulen për reformën territoriale, të sistemit gjyqësor apo fusha të tjera megjithë shkëmbimin e ftesave reciproke, ndonëse kjo është një kërkesë e vazhdueshme e shqiptarëve dhe institucioneve ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG