Lidhje

Kryeministri Edi Rama viziton Maqedoninë


Shqipëria dhe Maqedonia po diskutojnë mbi thellimin e bashkëpunimit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoni, ku ka diskutuar me drejtuesit e vendit mbi thellimin e bashkëpunimit në më shumë fusha. Duke u nisur nga incidentet e shpeshta ndëretnike në Shkup, zoti Rama bëri thirrje për mirëkuptim dhe bashkëjetesë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i ka folur zotit Rama për zhvillimet politike në vend dhe për dinamikën e materializimit, sipas tij, të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe për çështjet e hapuara politike që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, siç është gjuha shqipe dhe trajtimi i saj.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi ka shprehur pakënaqësinë për shkak të shkatërrimit të plotë, sipas tij, që qeveria e Maqedonisë i ka bërë Marrëveshjes së Ohrit dhe për një dukuri të re që është e prekshme – varfërimi i shqiptarëve në mënyrë institucionale, si rrjedhojë e veprimeve të qeverisë, është shprehur zoti Thaçi.

Kryeministri Rama ka shprehur bindjet se sa më shumë që partitë shqiptare në Maqedoni të bashkëpunojnë, duke ruajtur identitetin, pozicionet dhe kundërshtinë e tyre, aq më mirë do të jetë për të gjithë.



Draft Entry
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:32 0:00


“Proceset politike kërkojnë kohë dhe për këtë duhet qenë qetësisht mirëkuptues”, tha ai, ndërsa shtoi se “çdo shprehje intolerance dhe dhune i kthen proceset mbrapa”.

Zoti Rama tha se për Shqipërinë dhe shqiptarët është me rëndësi që të zbatohet Marrëveshja e Ohrit, si një bazë e patjetërsueshme e mbarëvajtjes dhe e suksesit të Maqedonisë, për çka Shqipëria është shumë e interesuar dhe e mbështet me gjithë zemër.

Kryeministri shqiptar Edi Rama u prit në Shkup me ceremoni të larta ushtarake, në vizitën e parë në cilësinë e kryeministrit me ftesë të kolegut të tij Nikolla Gruevski.

Dy kryeministrat e cilësojnë takimin si një vazhdimësi e vizitave të nivelit të lartë politik dhe një nxitje e fuqishme për intensifikimin e raporteve politike dhe ekonomike midis dy vendeve.

Pas një takimi kokë më kokë të kryeministrave, delegacionet e dy vendeve kanë biseduar lidhur me përparimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në veçanti në fushën e integrimit në BE; gjithashtu është diskutuar për nevojën e ndërlidhjeve infratruskturore - rrugore dhe hekurudhore si dhe në fushën e energjetikës.

Kryeministri Rama tha se marrëdhëniet e mira me Maqedoninë kanë rëndësi të madhe për qeverinë e tij sikundër dhe integriteti territorial i vendit fqinj që ka rëndësi për ecurinë e gjithë rajonit drejt BE-së.

Lidhur me incidentet ndëretnike në Maqedoni që kryesisht kanë përfshirë të rinjë nga të dy komunitetet kryesore, por rëndom shqiptarët kanë qenë viktima, kryeministri Rama tha se i ndjek me shqetësim momentet kur shfaqet intoleranca dhe dhuna e natyrës ndëretnike.

“Kemi qenë dhe mbetemi të vendosur që të bëjmë vazhdimisht thirrje për qetësi për maturi dhe për vetëdije se është tek mbarëvajtja e marrëdhëhnieve ndëretnbike edhe suksesi i përbashkët dhde suksesi më vete i çdo familje dhe çdo inidividi. Për ne është e domnosdoshme që të kuptohet sa më mirë nga të gjithë se e ardhmja është e përbashkët dhe se bashkërisht do ta ndërtojmë të ardhmen në këtë rajon por edhe këtu në këtë vend ku shqiptarët janë pejsë shtetëformuese dhe ku shqitarët janë të interesuar që Marrëveshja e Ohrit të implementohet dita ditës me sa më shumë rigorozitet dhe sa më shumë sukses”, tha zoti Rama.
Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski i vlerësoi marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni si të qëndrueshme, siç tha, me dialog të hapur për të gjitha sfidat e përbashkëta.

Kryeministri maqedonas shprehu qëndrimin për marrëdhëniet e mira fqinjësore, dhe bashkëpunim rajonal duke besuar se të gjitha sfidat në rajon mund të kapërcehen me anë të politikave konstruktive, në fryëm e bashkëpunimit evropian dhe të fqinjësisë së mirë.
Kryeministri Rama nënvizoi edhe projektin për ruajtjen e Liqenit të Ohrit si pasuri e dy shteteve.
Kryeministri shqiptar u ndal edhe tek zhvillimet në rajon duke thënë se marrëveshja Prishtinë - Beograd ka bërë që paqa të hyjë në një proces që ua ka prerë rrugën konflikteve në rajon. Kjo paqe paraqet, sipas tij, një dritare të re për zhvillimin ekonomik dhe social dhe qeveritë e rajonit duhet që këtë mundësi ta kthejnë në mirëqenie për popujt e tyre, tha ai.
“2013-a ishte vit i paqes dhe kështu do të jetë 2014-a. Nuk do të ketë pushkë të drejtuara kundër fqinjit”, tha zoti Rama.
Shtypi maqedonas u interesua për pozitën e pakicës maqedonase në Shqipëri, ndërkohë që zoti Rama tha se Shqipëria e ka për angazhim për të përmirësuar jetën e kujtdo që jeton në Republikën e Shqipërisë. Ai theksoi mbështetjen e palëkundër ndaj Maqedonisë në BE dhe Nato, ndërsa tha se një rajon paqësor është e ardhmja që kufijt i bën krejtësisht të parëndësishëm.
Zoti Rama u prit edhe nga presienti Gjorgje Ivanov dhe nga kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Trajko Veljanovski. Ndërkohë, pasdite ai shkoi në Tetovë për takime me drejtuesit politik shqiptar Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.
XS
SM
MD
LG