Lidhje

Egjipt, Bajrami festohet në dy kampe


SHBA dhe BE kanë shprehur shqetësim se ndarja politike ka krijuar një situatë të brishtë, që mund të nxisë më shumë gjakderdhje

Në Egjipt, dy kampet rivale politike zhvilluan secili tubime të mëdha me rastin e Bajramit, festës triditëshe që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Përkrahësit e presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi janë mbledhur prej javësh në dy sheshe për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj marrjes së pushtetit nga ushtria. Janë shtuar shqetësimet se qeveria mund të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre.


Mijëra egjiptianë, mbështetës të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi janë mbledhur në Kajro, duke u lutur dhe duke festuar Fitër Bajramin në kampet e protestës, megjithë paralajmërimet e qeverisë që ata të shpërndahen.

Edhe kundërshtarët e zotit Morsi u mblodhën në Sheshin Tahrir të Kairos, një ditë pas deklaratës së bërë nga Presidenti i përkohshëm i vendit Adly Mansour se përpjekjet e të dërguarve ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës që ka ndarë vendin kishin dështuar. Zoti Mansour ia hodhi fajin Vëllazërinë Myslimane të zotit Morsi për dështimin.

Gjatë lutjeve të sotme, një nga figurat kryesore të Vëllazërisë Myslimane tha se ata nuk do të tërhiqen:


"Revolucioni do të vazhdojë. Ata që mendonin se revolucioni do të merrte fund sapo të mbaronte Ramazani e kishin gabim," tha zoti Mohammed el-Beltagy.


Edhe kundërshtarët e zotit Morsi mbajtën tubimet e tyre.


"Jam shumë i dëshpëruar për atë që po ndodh në Egjypt. Sot është Bajram dhe egjiptianët janë të ndarë në dy kampe, dy mendime të ndryshme. Është për të ardhur keq se që të dy janë myslimanë", thotë Medhat Abdel Moneam, kundërshtar i zotit Morsi.


Më shumë se 250 vetë janë vrarë nga dhuna që pas përmbysjes së zotit Morsi nga ushtria më 3 korrik.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim, duke thënë se ndarja politike ka krijuar një situatë të brishtë që mund të nxisë më shumë gjakderdhje dhe të pengojë rimëkëmbjen ekonomike të Egjiptit.


Në një deklaratë të përbashkët mbrëmë vonë, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, thanë se të dy palët duhet të thyejnë "ngërçin e rrezikshëm" dhe të venë në zbatim "masa konkrete mirëbesimi".


Diplomatët thanë se qeveria e Egjiptit ka një përgjegjësi të veçantë për të filluar procesin e pajtimit.

XS
SM
MD
LG