Në Egjipt, udhëheqësit e partisë në pushtet kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa mijëra demonstrues u mblodhën edhe sot në shehin Tahrir të Kajros në ditën e dymbëdhjetë të protestave kundër sundimit 30 vjeçar të presidentit egjiptian Hosni Mubarak.
Televizioni shtetëror i Egjiptit tha sot se komiteti i formulimit të politikave i Partisë Demokratike Kombëtare kishte dorëzuar detyrën, përfshirë Gemel Mubarakun, të birin e presidentit. Megjithatë, televizioni shtetëror thotë se Presidenti Mubarak vazhdon të mbetet në krye të partisë.
Televizioni shtetëror thotë se Sekretari i Përgjithshëm i partisë ka dhënë dorëheqjen dhe është zëvendësuar. Njoftimet perëndimore të lajmeve thonë se komiteti i formulimit të politikave përbëhej nga gjashtë anëtarë, të cilët kishin qenë prej kohësh pjesë e strukturës politike të Egjiptit.
Më herët sot, zoti Mubarak mbajti takime me zyrtarë, përfshirë kryeministrin, ministrat e naftës dhe financave dhe guvernatorin e bankës qendrore.
Ministri i tregtisë tha sot se eksportet kanë rënë për 6 përqind në janar për shkak të trazirave. Sipas disa vlerësimeve, kriza po i kushton vendit afërsisht 310 milion dollarë në ditë.
Ndërkohë, ushtarët egjiptianë po përpiqen t’i largojnë me të mirë demonstruesit nga sheshi Tahrir.
Një zyrtar i lartë i ushtrisë vizitoi sheshin sot dhe duke folur me altoparlant u përpoq pa sukses t’i bindëte protestuesit që të ktheheshin në shtëpi.
Protestuesit u kanë bërë ballë edhe orvatjeve të ushtrisë për t’i larguar barrikadat. Televizioni Al Xhazira thotë se ushtria ka sjellë vinça dhe kamionë transporti pa mbulesë, në përpjekje për të larguar barrikadat dhe makinat e djegura nga sheshi.
Disa demonstrues janë zotuar se do t’i vazhdojnë protestat deri në dorëheqjen e Presidentit Mubarak.