Mijëra të huaj po përpiqen të sigurojnë udhëtime me avion për t’u larguar nga Kairoja për shkak të trazirave politike dhe dhunës së shkaktuar nga njoftimi i Presidentit egjiptian, Hosni Mubarak se ai nuk do të japë dorëheqjen para përfundimit të mandatit.
Shtetet e Bashkuara thanë se ka filluar evakuimi i pjesës më të madhe të nëpunësve të qeverisë amerikane dhe familjeve të tyre. Gjithashtu, Departamenti i Shtetit bëri një deklaratë dje, në të cilën thoshte se rreth 1,600 qytetarë amerikanë dhe familjet e tyre ishin evakuar me anë të një operacioni, që filloi të hënën.
Britania njoftoi sot se do të dërgonte një aeroplan në Kairo për të transportuar qytetarët britanikë, që dëshironin të largoheshin nga Egjipti.
Por, drejtori i shërbimeve ajore tha se përpjekjet për evakuimin e të huajve po pengoheshin nga gjendja kaotike në aeroportin e Kairos e shkaktuar nga një influks tepër i madh njerzish dhe aeroplanësh.
Dje, Gjermania njoftoi se kishte zgjatur paralajmërimin për mos udhëtim në gjithë Egjiptin, përfshirë edhe qendrat e njohura turistike në Detin e Kuq. Mijëra turistë nga Gjermania, Britania dhe Franca shkojnë çdo vit në Egjipt.