Lidhje

Egjipti u mohon lejet për të vepruar në vend 8 organizatave joqeveritare amerikane


Egjipti hodhi poshtë kërkesat e 8 organizatave joqeveritare amerikane për të vepruar në vend, përfshirë një grup për vëzhgimin e zgjedhjeve i udhëhequr nga ish Presidenti amerikan, Jimmy Carter.

Agjencia shtetërore egjiptiane e lajmeve MENA tha dje se Ministri Egjiptian për Çështjet Sociale i mohoi lejet organizatave të shoqërisë civile amerikane sepse aktivitetet e tyre shkelin sovranitetin e Egjiptit. Agjencia egjiptiane e lajmeve tha se në 8 organizatat e listës së zezë përfshihet edhe Qendra Carter, Organizata Jetimët Koptikë dhe Fara e Paqes. Emrat e 5 organizatave të tjera nuk u konfirmuan.

Qendra Carter vëzhgon zgjedhjet anë e mbanë botës dhe përpiqet të sigurojë që ato të jenë të drejta dhe të lira. Këshilli ushtarak egjiptian në pushtet lejoi këtë organziatë të vëzhgojë zgjedhjet parlamentare të që u zhvilluan me faza nga nëntori deri në shkurt, por nuk është e qartë nëse një leje e tillë do të jepet për zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm.

Grupe vendase dhe të huaja të shoqërisë civile kanë akuzuar për një kohë të gjatë qeverinë egjiptiane se është tepër e ngadaltë në shqyrtimin e kërkesave të tyre për leje duke i detyruar ato të punojnë në kushte të pasigurta ligjore.

Drejtoresha e Organizatës “Jetimët Koptikë”, Nermien Riad, e kritikoi vendimin e Egjiptit për mos-miratimin e lejes për të vepruar në vend, duke thenë se ajo nuk e kupton se si puna me fëmijët egjiptianë jetimë cënon sovranitetin kombëtar të Egjiptit.

XS
SM
MD
LG