Lidhje

Egjipt: 305 të vrarë nga një sulm në një xhami në Sinai


Zyrtarët egjiptian thanë se 305 veta u vranë të premten nga militantët e dyshuar në një xhami në veri të gadishullit të trazuar të Sinait. Njëzeteshtatë nga të vrarët janë fëmijë.

Zyra e Prokurorit publik tha të shtunën se 25 deri në 30 ekstremistë sulmuan xhaminë al-Rawdah në qytetin Bir al-Abed, në perëndim të kryeqytetit krahinor el-Arish.

Militantët arritën në xhami me katër makina tip fuoristradë, hodhën mjete shpërthyese dhe qëndruan pastaj përjashta duke shtënë më armë zjarri mbi besimtarët që po provonin të iknin. Sulmuesit përdorën po ashtu makina të djegura për të bllokuar daljen nga xhamia.

Dëshmitarët thanë se militantët qëlluan edhe mbi autoambulancat që po provonin të evakuonin të plagosurit. Agjencia shtetërore e lajmeve tha se 128 veta janë plagosur gjatë sulmit.

Sulmi u krye mbi një xhami që vizitohet nga sufistët, pjesëtarë të një lëvizjeje mistike islame.

Avionët ushtarak të Egjiptit raportohet se sulmuan militantët në Sinai pas sulmit në xhami.

Presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sissi, tha se sulmi "nuk do të kalojë pa u ndëshkuar", por nuk saktësoi se çfarë hapash do të merren.

Presidenti amerikan, Donald Trump, reagoi ndaj dhunës duke e cilësuar si "sulm të tmerrshëm e qyqar mbi besimtarët e pafajshëm e të pambrojtur".

Presidenti Trump tha se "bota nuk mund të tolerojë terrorizmin, ne duhet t'i mundim ata ushtarakisht dhe të diskreditojmë ideologjinë ekstremiste që krijon themelet e ekzistencës së tyre".

Izraeli fqinj ngushëlloi Egjiptin pas sulmit. Të dyja vendet kanë nënshkruar një traktat paqeje në vitin 1979 dhe kanë një bashkëpunim të ngushtë të sigurisë.

Forcat e sigurisë së Egjiptit po luftojnë kundër grupit militant Shteti Islamik në veri të gadishullit të Sinait, që ka parë një shtim të luftimeve në tre vitet e fundit gjatë të cilave janë qindra policë dhe ushtarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG