Lidhje

Egjipt: Dështojnë përpjekjet diplomatike


Qeveria e përkohshme e Egjiptit thotë se përpjekjet e të dërguarve të huaj për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës së vendit kanë dështuar. Qeveria ndërkohë bëri një tjetër paralajmërim të ashpër që protestuesit të shpërndahen.

Presidenca tha sot se fajësonte presidentin e rrëzuar të Vëllazërisë Myslimane Mohamed Morsi-së për dështimin e përpjekjeve diplomatike.

Kryeministri i përkohshëm Hazem el-Beblawi më vonë doli në televizionin shtetëror dhe deklaroi se vendimi i qeverisë për të shpërndarë dy protesta ulur të mbështetësve të Morsit në Kairo ishte përfundimtar. Zoti Beblawi tha se protestuesit i kanë "shkelur të gjithë kufijtë e paqes", duke nxitur dhunë, duke përdorur armë, bllokuar rrugë dhe ndaluar qytetarë.

Diplomati i lartë amerikan, i përfshirë në përpjekjet e ndërmjetësimit, Zëvendës Sekretari i Shtetit William Burns, u largua nga Egjipti menjëherë pas deklaratës së qeverisë se përpjekjet diplomatike kishin marrë fund.

Bashkimi Evropian tha sot se ishte shumë i shqetësuar lidhur me atë që u quajt dështim i përpjekjeve ndërkombëtare të ndërmjetësimit.
XS
SM
MD
LG