Lidhje

Presidenti i Egjiptit zgjeron rolin e ushtrisë


Presidenti i Egjiptit, Abdel-Fattah el-Sissi, një ish-gjeneral tashmë politikan, është duke zgjeruar rolin e ushtrisë në përpjekje për të përballuar një valë sulmesh terroriste.

Udhëheqësi egjiptian urdhëroi sot ushtrinë t’iu bashkohet forcave të policisë gjatë dy viteve të ardhshme për ruajtjen e objekteve kyçe, si p.sh. rrugët, hekurudhat dhe tubacionet. Ai shpalli një dekret që përcakton se protestuesit që sulmojnë këto objekte do të gjykohen nga gjykata ushtarake dhe jo nga ato civile.

Urdhëri i zoti el-Sissi pasoi disa nga sulmet më të ashpra ndaj forcave të sigurisë që prej rrëzimit nga pushteti vitin e kaluar të Presidentit islamist Mohammed Morsi. Militantët islamikë vranë të paktën 30 ushtarë të premten në zonën e trazuar të Gadishullit Sinai. Ky është sulmi më vdekjeprurës i dekadave të fundit ndaj njësive ushtarake egjiptiane.

Dyshohet se militantët kanë qenë autorë të sulmeve të përsëritura ndaj tubacioneve të gazit, linjave të energjisë dhe atyre telefonike, ndërkohë që kanë bllokuar edhe trafikun në Kairo duke derdhur vaj në rrugët dhe urat kryesore.

Gjatë 15 muajve kur zoti el-Sissi mori Egjiptin nën kontroll, autoritetet kanë vrarë qindra islamistë dhe kanë burgosur mijëra të tjerë. Por, qeveria ka goditur edhe aktivistët laikë pro-demokracisë.

Të dielën, një gjykatës egjiptian dënoi 23 të rinj aktivistë me nga tre vjet burgim pasi nuk iu bindën një ndalimi të demonstratave në rrugë të pamiratuara nga policia.

XS
SM
MD
LG