Lidhje

SHBA, rritje e ekonomisë dhe inflacionit


Në Shtetet e Bashkuara sektori i ndërtimit të banesave ka përjetuar rritje, falë shtimit të aktivitetit për ndërtimin e komplekseve të apartamenteve. Po ashtu po rritet edhe inflacioni, ndërkohë që konsumatorët shprehin shqetësim për situatën ekonomike në vend, sipas disa raporteve të publikuara sot.

Analistët thonë se rritja prej 9.8% në vëllimin e ndërtimeve, sidomos për apartamente është rezultat i rënies së ritmeve të papunësisë me shtimin e vendeve të punës.

Një raport tjetër thotë se inflacioni u rrit në qershor me rritjen e çmimit të karburantit. Indeksi i çmimeve të mallrave për konsum u rrit 0.3% këtë muaj. Përveç sektorëve të ushqimit dhe energjisë që zakonisht përjetojnë luhatje të mëdha në çmime, në përgjithësi çmimet e mallrave të konsumit u rritën 1.8% gjatë 12 muajve të fundit.

Banka Qendrore amerikane po e ndjek me vëmendje inflacionin dhe tregun e punës, pasi këta janë faktorë kyçë në vendimet për të ndryshuar normat e interesit. Ekspertët e Bankës Qendrore thonë se një inflacion prej 2% do të ndihmonte rritjen ekonomike. Fakti që inflacioni po arrin në atë nivel mund të sinjalizojë një rritje të normave të interesit për vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG