Lidhje

Ekonomia e Kinës dhe varfëria


Asambleja Popullore e Kinës përfundoi takimin 10 ditor në Pekin, ku zyrtarët shtruan përparësitë politike për vendin e tyre. Mes shqetësimeve më të mëdha në këtë takim ishte edhe hendeku mes të varfërve e të pasurve. Korrespondjetja e Zërit të Amerikës Shannon van Sant foli me disa banorë të Pekinit rreth përpjekjeve të qeverisë për të zgjidhur shqetësimet e tyre ekonomike.

Në sesionin e sivjetshëm të Asamblesë Popullore rreth 3000 delegatë diskutuan për ekonominë kineze, trazirat etnike dhe reformimin e sistemit ligjor të vendit.

Por për shumë njerëz, rritja e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve është çështja më e nxehtë- sidomos për lagjet e varfëra të Pekinit , ku më të pasurit dhe më të varfërist mund të jetojnë pranë njëri-tjetrit.

Në një sërë rrugicash që shtrihen pas një prej qendrave tregtare më luksoze të qytetit, dhjetra kasolle gjenden vetëm një rrugë më tej një pike shitjesh për makinat e markës Bentley.

Një dhomë e vogël mes tyre, e ndërtuar me copa alumini dhe metalesh me një mur anësor të mbajtur nga gurë dhe tulla, është një dyqan i vogël i 78 vjeçares Li Yulan ku ajo shet pije dhe disa artikuj ushqimor.

Ajo thotë se të pasurit janë shumë të pasur e të varfëriti janë shumë të varfër. Ajo thotë se nga 8 persoan që ka familja e saj, vetëm dy kanë rrogë. Ajo thotë se familja ka nevojë për paratë që ajo nxjerr nga ky dyqan.

Për Li Yulan, shqetësimi më i madh është rritja e kostos së jetesës. Të ardhurat e saj janë rritur gjatë viteve të fundit, por jo me rritmin e rritjes së çmimeve të artikujve. Ajo thotë se ajo dhe shumë të tjerë si ajo në këtë lagje , e gjendur mes qiejgërvishtësve të qytetit, shpresojnë se ligjvënësit do të kuptojnë përpjekjet e tyre.

Ajo thotë se Asambleja Popullore e Kinës është e mirë për aq kohë sa zgjidh problemet, por ajo shton se bisedimet e kota janë të pavlefshme. Li Yulan thotë se njerëzit në komunitetin e saj janë më të shqetësuar për rritjen e çmimeve të ushqimeve.

Inflacioni i brendshëm ka ardhur si pasojë e rritjes së shpejtë ekonomike të vendit dhe rritja e vlerës së monedhës. Gjithsesi të dhënat e fundit tregojnë se qeveria ka arritur të ulë kostot në rritje. Infalcioni ishte 3.2 përqind në shkurt, shifra më e ulët që nga qershori 2010. Në fjalimin e hapjes në Asamblenë Popullore, kryeministri Wen Jiabao shpalli planet për ngadalësimin ekonomik me synimin për të mbajtur nën kontroll infalcionin- të cilin Kina do t’a mbajë poshtë 4 përqindshit.

Wen tha gjithashut se qeveria do të marrë masa për të frenuar çmimet e banesave. Në Xin Kong, një prej qendrave të shumta tregtare të Kinës, kinezët e pasur blejnë produktet më të fundit të modës nga Chaneli, Gucci, dhe Ferragamo.

Këtu çmimet e larta janë shumë larg imagjinatës së blerësve. Për të pasurit e qytetit, shqetësimet e klasës së mesme janë më të rëndësishme se masat e qeverisë për të zvogëluar hendekun mes të pasurve e të varfërve. 26 vjeçarja Xia xia nuk ka ndonjë opinion për takimin e Asamblesë Popullore të Kinës. Ajo thotë se nuk është nga rrethet politke dhe nuk e kupton shumë ekonominë.

Blerës të tjerë thonë se hendeku i të ardhurave nuk është aq i rëndësishëm se sa përfitimi prej të gjithë kinexzëve nga zhvillimi ekonomik. 33 vjeçari Wang, specialist kompiuterash, thotë se është e pamundur për një vend të madh si Kina që të ketë shoqëri pa klasa.

Ai thotë se Kina ka 1.3 miliard njerëz dhe se hendeku mes të pasurve dhe të varfërve nuk mund të shmanget. Ai thotë se qeveria duhet të përqëndrohet në rritjen e standartit të jetëses për klasën e mesme e të ulët, por diferencimi i të ardhurave është i pashmangshëm.

Në lagjen e varfër të Pekinit, Lu Yulam përqëndrohet në situatën e saj ekonomike. Ajo thotë se ndarja klasore në Kinë ka ekzistuar për breza me rradhë dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ajo thotë se të pasurit do të jenë të pasur e të varfërit të varfër. Ajo thotë se fëmijët e zyrtarëve do të jenë zyrtarë dhe fëmijët e saj do të bëjnë jetën që ajo bëri.

Lagjia e Lu-së ishte në listë për t’u shembur, kur një agjenci ndërtimesh e etur për të bërë para në tregun e madh të banesave në Kinë , u përpoq që të detyronte banorët që të iknin nga banesat e tyre. Por ndonëse mes rrënojave e kasolleve të vjetra, Lu thotë se ajo dhe fqinjët e saj kundërshtuan që të largoheshin për një arsye: ata nuk e përballojnë dot koston e një shtëpie të re.

XS
SM
MD
LG