Lidhje

Ekonomia e Luizianës, e goditur nga moratoriumi për shpimet nën ujë


Në Luiziana si demokratët edhe republikanët thonë se moratoriumi federal për shpimet nënujore të naftës në Gjirin e Meksikës – i cili u vu në zbatim mbas rrjedhjes së naftës nga shpërthimi në platformën e kompanis BP, është tani problemi më i madh i këtij shteti. Zyrtarë të qeverisë federale dhe shumë aktivistë të mbrojtjes së mjedisit thonë se një ndalim i përkohshëm për shpimet e naftës është i domosdoshëm për të parandaluar aksidentet në të ardhmen. Por njerëzit në zonën e Gjirit janë të shqetësuar se shumë prej punëve të paguar mirë në industrinë energjitike mund të mbyllen për mos u hapur më kurrë.

Rrjedhja më e fundit e naftës ka lënë pa punë shumë varka peshkimi në Deltën e lumit Misisipi dhe përgjat bregut të Gjirit të Meksikës. Por më shumë njerëz në Luiziana fitojnë të ardhurat në industrinë e naftës e të gazit se sa tek peshkimi. Dhe moratoriumi ka bërë që qindra prej tyre të humbasin punën.

Waylon La Font dhe Mathew Cheramie janë banorë të Deltës së Misisipit, të cilët kanë punuar me varkat e peshkimit por edhe në prodhimin e energjisë.

Sipas Mathew Cheramit, tani ata peshkojnë më vehte, pasi ka pak mundësi për të gjetur punë.

“Është e vështirë të gjesh punë, madje po ta gjesh atë nuk e ke të garantuar. Situata e rëndë ekonomike dhe vendosja e moratoriumit për ne, po e përkeqëson gjendjen”.

Waylon La Font thotë se ai nxirrte fitime si nga tregëtia e peshkimit edhe ndërtimi i shtëpive të reja, por ndotja e naftës ka goditur të dy këta sektorë.

“Moratoriumi ka elimiuar vendet e punës në sektorin e naftës, dhe si rrjedhim njerëzit që kanë punuar në këtë sektor, nuk duan të blejnë shtëpi të reja, dhe ne nuk po ndërtojmë më komplekse banimi, pasi njerëzit po riparojnë apo rindërtojnë shtëpitë që kanë”.

LaFont dhe Cheramie e duan natyrën dhe duan ta ruajnë këtë zonë nga ndotjet e naftës, por Mathew Cheramie nuk beson se një moratorium për të gjitha shpimet nënujore ishte i nevojshëm.

“Ajo që duhet bërë është korrigjimi i mënyrave të shpim-kërkimeve për naftë. Puna duhet vazhduar, por duhet të shtohet personeli i sigurisë, në mënyrë që puna të bëhet në kushte të sigurta dhe korrekte”.

Pikpamje të tilla vënë në dilemë opinionin e shumë njerëzve që nuk janë nga ky rajon, sipas Erik Smith, Drejtor i Institutit të Energjisë në Universitetin e Tulanit.

“Ata mendojnë se peshkatarët dhe punonjësit e naftës e të gazit duhet të dalin në rrugë duke protestuar por kjo nuk po ndodh sepse ata janë të njëjtët njerëz”.

Zoti Smith thotë se ndikimi i moratoriumit do të përkeqësohet në muajt e ardhshëm. Ai thotë se kostoja e platformave të shpimit në det arrin deri në 1 milon dollarë në ditë, kështu që kompanitë e naftës nuk i lanë dot pa i vënë në punë. Ai thotë se 8 platforma që ishin nisur drejt Gjirit të Meksikës kanë ndryshuar destinacion, pas vendosjes së moratoriumit dhe dy të tjera janë larguar prej andej.

“Nëse një kompani si Mërfi, e cila është një prej platformave që u largua, ka perspektiva të njëjta shpimi si këtu edhe në Afrikë dhe sheh se nuk mund të punojë këtu gjatë dy vjetëve të ardhshëm, por ka një kontratë 5 vjeçare në Afrikë, atëherë kjo kompani do ta zhvendosë platformën në Afrikë dhe do të punojë atje”.

Sipas raporteve të fundit, zyrtarë qeveritarë amerikanë llogarisin se moratoriumi do të shkaktojë humbjen e 23 mijë vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara.

Por zoti Smith thotë se edhe bota do ta ndjejë ndikimin, pasi moratoriumi do ta bëjë të vështirë për prodhuesit e naftës në Gjirin e Meksikës që të mbajnë të njëjtin nivel të prodhimit të naftës prej 1,7 milion fuçish në ditë.

“Në botë ka rreth 5 milion fuçi nafte rezervë në ditë, ndërkohë që konsumi ditor është 87 milion fuçi, dhe kur mungon prodhimi ni Gjirit të Meksikës, bëhet fjalë për një përqindje të konsiderueshme që mungon për konsumimin e domosdoshëm ditor”.

Presidenti Obama thotë se moratoriumi mund të përfundojë para 30 nëntorit, data e caktuar nga Deparamenti i Burimeve Natyrore - nëse komisioni që po studion fatkeqësinë e shpërthimit të naftës, mbaron punën e tij më shpejt.

Presidenti argumenton se pavarësisht ndikimit afatshkurtër ekonomik të moratoriumit, vendimi ishte i domodoshëm për të mbrojtur thesaret natyrore të Gjirit të Meksikës nga aksidentet e mundshme në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG