Lidhje

Ekspertët parashikojnë ndryshime të mëdha në tregun energjetik botëror


Ekspertët parashikojnë ndryshime të mëdha në tregun energjetik botëror
Ekspertët parashikojnë ndryshime të mëdha në tregun energjetik botëror

Me shtimin e popullsisë rritet edhe kërkesa për energji, duke ashpërsuar konkurencën për burime gjithnjë e më të pakta energjetike. Shumë ekspertë besojnë se së shpejti prodhimi i naftës do të arrijë pikën maksimale dhe ende nuk ka burime alternative energjetike që të zëvendësojnë hidrokarburet. Por ekspertët besojnë se ekzistojnë një numër prirjesh që mund të transformojnë ndjeshëm sektorin energjetik në dekadat e ardhshme:

Gjatë viteve të fundit ka pasur zhvendosje në skemën energjetike të botës, pas zbulimit në brigjet e Brazilit të rezervave të mëdha të naftës, ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara janë zbuluar fusha naftëmbajtëse dhe rezerva gazi në shtresa argjilore, përmes nxjerrjes horizontale, ndërsa Kanadaja ka shtuar prodhimin e naftës nga depozitat ranore në provincën perëndimore të Albertës. Ministri kanadez i Rezervave Natyrore, Xhou Oliver thotë se teknologjia ka nxjerrë në dritë një bollëk energjetik në Amerikën e Veriut:

“Duke pasur parasysh rezervat në shtresat argjilore e ranore, Amerika është rajoni me rritjen më të shpejtë në prodhimin e naftës, jashtë vendeve të OPEC-ut. Në bazë të parashikimeve, prodhimi pritet të rritet më shumë se 10 për qind gjatë 5 viteve të ardhshme”.

Zoti Oliver thotë se shtimin i prodhimit në Amerikën e Veriut dhe zbulimet e rezervave të reja në det dhe në shtresa argjilore, do ta ulin fuqinë e OPEC-ut.

“Në të ardhmen OPEC-u nuk do të ketë të njëjtën fuqi që ka pasur më parë, për sa u përket burimeve të naftës dhe rezervave të tjera energjetike”.

Kjo zhvendosje dramatike është tema qendrore e librit të ri “Siguria Energjetike dhe Shndërrimi i Botës Moderne” nga Daniel Yergin.

“Po ndryshon harta e rezervave të naftës, por do të ndryshojë edhe kërkesa dhe kjo zhvendosje në tregjet botërore do të ketë ndikim edhe në gjeopolitikë”.

Zoti Yergin, i cili drejton firmën konsulente IHS-CERA, nënvizon se thuajse të gjitha novacionet teknologjike që kanë transformuar sektorin energjetik, janë vërejtur në prodhimin e naftës dhe gazit, por ai thotë se zhvillimi i burimeve të tjera energjetike si energjia diellore, e erës dhe biokarburantit do të avancojnë dhe të bëhen më të rëndësishme në dekadat e ardhshme:

“Duhet të shqetësohemi për gjendjen aktuale dhe për nevojat në 10-20 vjetët e ardhshëm. Pra nevojitet punë në të gjitha frontet njëkohësisht”.

Turqia është një ndër vendet që po e ndjek këtë parim, duke investuar në energjinë e erës me synimin që brenda 20 vjetësh të përmbushin 30 për qind të nevojave vendase me këtë burim.

Por Turqia po përpiqet gjithashtu të shfrytëzojë pozicionin gjeografik mes Evropës dhe Azisë si një nyje rajonale energjetike.

Alparslan Bairaktar është komisioner i Agjencisë Energjetike turke EMRA:

“Ne jemi në qendër të kërkesës dhe ofertës. Pala evropiane ka kërkesë të madhe, por edhe kërkesa në vend është e madhe dhe kemi pranë vende furnizuese”.

Pikërisht një planifikim i tillë po transformon botën thotë Kristof Fry, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Botëror për Energjinë në Londër:

“Kemi krijuar korridore nafte dhe gazi. Përse të mos i shfrytëzojmë këto korridore për ta sjellë energjinë e erës deri në Turqi e më pas edhe në Evropë”.

Zoti Fry thotë se megjithë sfidat mjedisore dhe gjeopolitike para sektorit energjetik, ky është një moment i rëndësishëm:

“Nga njëra anë ka paqartësi të mëdha, por kemi edhe novacione të reja. Kam dëgjuar njerëz që thonë se jemi në vazhdën e një revolucioni më madh”.

Ekonomia botërore, prodhimi ushqimor, shpërndarja e produkteve dhe mbrojtja e mjedisit, varen të gjitha nga drejtimi që do të marrë ky revolucion.

XS
SM
MD
LG