Lidhje

Ekspertët: Afganistani ka nevojë për reforma politike


Ekspertët: Afganistani ka nevojë për reforma politike
Ekspertët: Afganistani ka nevojë për reforma politike

Forcat amerikane dhe ato të NATO-s duhet të lënë Afganistanin brenda fundit të vitit 2014.

Vendet fqinje të Afganistanit dhe vendet perëndimore premtojnë mbështetjen e tyre në ndihmë të sigurisë dhe qëndrueshmërisë ekonomike të vendit, duke lejuar në të njëjtën kohë që Afganistani të marrë përsipër përgjegjësinë për të ardhmen e vet.

Por disa analistë këtu në Uashington thonë se Afganistani ka gjithashtu nevojë për disa reforma politike.

Gjatë një vizite të fundit në Turqi, Presidenti afgan Hamid Karzai tha se nuk do të kishte shpresa për paqe në vendin e tij pa ndihmën e vendeve fqinje, në luftën kundër grupeve terroriste.

Në konferencën e Stambollit, e organizuar nga Turqia dhe Afganistani, morën pjesë zyrtarë të lartë nga rajoni dhe vendet e perëndimit. Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë me vendet partnere për ndërtimin e asaj që ka filluar të njihet si “Rruga e Re e Mëndafshtë”, për të përfshirë Afganistanin në jetën ekonomike të rajonit.

Ky plan synon të rrisë tregëtinë në rajon, duke lidhur rrugët dhe hekurudhat e Azisë qëndrore me Pakistanin, Afganistanin dhe Indinë.

“Çështja kryesore është se nuk mund të shndërrohet Afganistani në një “Rrugë të Re të Mëndafshtë”, pa stabilizuar më parë vendin dhe politikën e tij. Pra, të gjitha këto plane për të ardhmen po marrin përparësi ndaj punës që duhet bërë tani, e cila është stabilizimi i vendit.” thotë Majkëll O’Henlon, ekspert i çështjeve të sigurisë kombëtare dhe politikave të mbrojtjes, në Institutin Brookings të Uashingtonit, thotë se politika për tërheqjen e trupave është e përgatitur mirë, por pjesa më e vështirë e është forcimi i sistemit politik afgan.

“Viti 2014 është gjithashtu viti kur Presidenti Karzai duhet të dorëzojë postin. Ne duhet të ndihmojmë Afganistanin të bëjë një zgjedhje të arsyeshme për pasardhësin e tij. Fatkeqësisht kushtetuta afgane, për të cilën vendi im ka disa përgjegjësi të vetat, krijon një president shumë të fuqishëm dhe parti politike të dobëta, parlament të dobët dhe ndikime politike alternative të dobëta.”

Disa analistë paralajmërojnë se zgjedhjet e vitit 2014 do të jenë “dështim i plotë” nëse parregullsitë e shumta, që mendohet se ndodhën në zgjedhjet e fundit, do të përsëriten. Ata thonë se duhet përgatitur një program për reforma serioze, për vendosjen e qeverisjes së Afganistanit në një rrugë të qëndrueshme. Kerolajn Uadams punon për Qendrën për Zhvillimin Amerikan:

“Të marrim sistemin e drejtësisë... kryeprokurori ose është në duart e Presidentit Karzai ose sistemi është shumë i dobët. Pra duhet një ndarje pushtetesh më e mirë, në mënyrë që përgjegjësitë të jenë të qarta dhe njerëzit të dinë ku t’i drejtojnë ankesat e tyre. Këto janë disa nga reformat elementare që duhet të realizohen. Një mënyrë për të përmirësuar ndarjen e pushteteve është decentralizimi i shtetit, për të përfshirë sa më shumë zëra në sistem dhe për të qartësuar përgjegjësitë.”

Në këto momente, Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar shprehin gatishmërinë e tyre për të vazhduar financimin e përpjekjeve të Afganistanit për ndërtimin e infrastrukturës dhe të shërbimeve të tjera themelore për qytetarët e vet. Por nëse do të ketë probleme me sigurinë pas vitit 2014, këto plane mund të bien.

Dhuna mund të vazhdojë edhe pas vitit 2014, por vendet e rajonit dhe ato perëndimore po mbështesin një proces pajtimi të udhëhequr nga Afganistani, i cili të mund të garantojë stabilitet dhe demokraci në vend.

XS
SM
MD
LG