Lidhje

Ekstremi i djathtë evropian dhe objektivat e tij


Ekstremi i djathtë evropian dhe objektivat e tij
Ekstremi i djathtë evropian dhe objektivat e tij

Imigracioni është një ndër temat më të nxehta sot në Evropë. Kjo çështje u ka dhënë material për debat organizatave të ekstremit të djathtë dhe ka nxitur për veprim partitë politike dhe qeveritë evropiane. Debati është shfaqur edhe në forumet në internet. Në vazhdim ju njohim me programin e njërit prej këtyre grupeve dhe evolucionin që përshkojnë lëvizje të tilla ekstreme.

Liga Angleze e Mbrojtjes ka dalë në rrugë për të përçuar mesazhin e saj. Kjo organizatë ka një program nacionalist, të ngjashëm me programet e shumë grupeve të ekstremit të djathtë në Evropë.

Liga vazhdon demonstrimin e saj pranë parlamentit britanik, por nuk ka përfaqësim në qeveri, ndryshe nga grupe të tjera të së djathtës ekstreme.

Anëtarët e Ligës Angleze të Mbrojtjes pretendojnë se janë paqësorë. Protesta e kësaj radhe ishte paqësore, por më parë tubimet e organizatës kanë precipituar në dhunë.

Organizata thotë se nuk është raciste. Por ajo argumenton se myslimanët po përpiqen ta ndryshojnë shoqërinë britanike, dhe jo të integrohen në të. Kjo e irriton Gail Speight, një nga themeluesit e organizatës:

“Kam miq të besimit sik. Kam miq zezakë. Por myslimanët kanë një perspektivë tjetër mbi jetën”.

Liga Angleze e Mbrojtjes u themelua në 2009. Por ideologjia e saj ka ekzistuar prej vitesh thotë Andrea Mamone, ekspert për të djathtën ekstreme në Evropë:

“Galaktika e ekstremit të djathtë ka qenë vazhdimisht në përpjekje për të krijuar identitetin e saj, që nga koha e fashizmit, duke identifikuar një element armik, dikë që është ndryshe”.

Max Levitas ishte elementi ndryshe në rrugë në vitin 1936:

“Mijëra vetë ishin mbledhur në rrugën Cable dhe policia iu vërsul njerëzve në mënyrë që të hapte rrugë për fashistët”.

Incidenti që njihet si beteja në rrugën Cable, është përjetësuar në këtë mural. Zoti Levitas dhe fqinjtë e tij u përleshën me policinë për të ndalur marshimin fashist në një lagje kryesisht hebraike:

“Njerëzit qëllonin me mbeturina e gurë kuajt e policisë”.

Zoti Levitas thotë se nuk ka shumë ndryshim nga fashistat e asaj kohe dhe Ligës Angleze të Mbrojtjes sot:

“Liga është një organizatë fashiste që duhet ndaluar me ligj”.

K. Biswas po shkruan një libër për ekstremin e djathtë në Evropë. Ai thotë se kjo lëvizje i ka rrënjët në fashizmin e shekullit të 20, por nuk është fashiste:

“Këto parti janë përpjekur ta shkëpusin veten nga e kaluara e dhunshme. Ata kanë folur hapur kundër anti-semitizmit dhe po kërkojnë ndryshime përmes mjeteve demokratike”.

Disa anëtarë të Ligës Angleze të Mbrojtjes thonë se shpresojnë që programi i tyre në të ardhmen të përfshijë synimin për përfaqësim në qeverinë e vendit.

XS
SM
MD
LG