Lidhje

Vendndodhja e ekzekutimeve publike në Korenë e Veriut


Vizitorët duke parë një skicë ekzekutimi, të vizatuar nga një i arratisur koreanoveriror, Jang Han-gil
Vizitorët duke parë një skicë ekzekutimi, të vizatuar nga një i arratisur koreanoveriror, Jang Han-gil

Një organizatë për të drejtat e njeriut njoftoi se ka identifikuar qindra vendndodhje ku Koreja e Veriut ka kryer ekzekutime publike, si një mënyrë për frikësimin e qytetarëve.

Grupi Tranzitor i Punës për Drejtësinë, me qendër në Seul, tha sot se ka zbuluar vendndodhjet bazuar në intervistat me 160 koreanoveriorë të arratisur, si dhe pamjet satelitore.

Grupi nuk dha vendndodhjen e saktë të 323 pikave të tilla, pasi tha se qeveria koreanoveriore mund t’i tjetërsojë ato. Megjithatë u tha se disa prej vendndodhjeve më të shfrytëzuara për këtë qëllim janë lumenjtë, fushat, kodrat, madje edhe tregjet dhe oborret e shkollave.

Grupi i të drejtave të njeriut përfshiu njoftimet për ekzekutime të njëkohësishme të mbi 10 personave, dhe tha se ishin pothuajse të gjitha nëpërmjet ekzekutimit me armë nga togat e pushkatimit.

Grupi thotë se turmat, shpesh të përbëra nga qindra njerëz, mblidheshin për të ndjekur këto ekzekutime, qëllimi kryesor i të cilave është ngjallja e frikës tek publiku.

Një prej autorëve të raportit, Heeseok Shim, tha se intervistat me të arratisurit sugjerojnë se po bie frekuenca e ekzekutimeve publike në Korenë e Veriut, megjithëse nuk është e qartë nëse më shumë njerëz po vazhdojnë të ekzekutohen në fshehtësi.

Mediat nuk kanë mundësinë e verifikimit të pavarur të këtyre të dhënave. Koreja e Veriut nuk iu përgjigj pyetjeve rreth konkluzioneve të këtij raporti.

Ish-pjesëtarë të elitës së Koresë së Veriut kanë qenë ndër të ekzekutuarit nga qeveria, përfshirë Jang Song Thaek, xhaxhanë e Kim Jong Un-it, në vitin 2013.

Këtë muaj, pati njoftime në mediat e Koresë së Jugut se janë ekzekutuar zyrtarët e përfshirë në bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara, të cilat u ndërprenë në muajin shkurt. Megjithatë, këto njoftime nuk mundën të konfirmohen. Në të kaluarën, ekzekutime të njoftuara se kanë ndodhur në Korenë e Veriut, kanë rezultuar më vonë të pavërteta.

Javën e kaluar, Presidenti amerikan Donald Trump shprehu dyshim për njoftimet në media për ekzekutime të kryera rishtazi.

Presidenti Trump u shpreh se “Nuk e di nëse këto njoftime janë të sakta. Kanë tendencën të fajësojnë menjëherë Kim Jon Un-in”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG