Lidhje

Engel: Zgjedhjet në Shqipëri - të suksesshme


Shqipëria tregoi edhe një herë se është një demokraci në lulëzim, tha kongresmeni nga Nju Jorku në një deklaratë

Kongresmeni Eliot Engel, demokrati kryesor në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, i quajti zgjedhjet në Shqipëri të suksesshme dhe tha se Shqipëria tregoi edhe një herë se është një demokraci në lulëzim.

Me anë të një deklarate, Zoti Engel uroi zotin Edi Rama dhe koalicionin socialist për fitoren dhe tha se pret të punojë me qeverinë e ardhshme.

Udhëheqësit politikë të Shqipërisë dhe populli, ministrat e kabinetit të ardhshëm dhe anëtarët e opozitës nga i gjithë spektri politik, thuhet në deklaratë, duhet të dinë se Kongresi amerikan qëndron krah për krah me Shqipërinë. "Ju i keni dërguar një mesazh të qartë Bashkimit Evropian se jeni gati për statusin e vendit kandidat; marshimi juaj drejt anëtarësimit në BE vazhdon," thotë deklarata.

Zoti Engel falënderon Kryeministrin Sali Berisha për shërbimin e tij ndaj vendit. "Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara gjatë qëndrimit të tij në këtë post, duke përfshirë edhe anëtarësimin në NATO, dhe unë i uroj atij gjithë të mirat për të ardhmen," thotë Eliot Engel, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan në deklaratën për mediat.
XS
SM
MD
LG