Lidhje

Debati për emigracionin e paligjshëm


Gjatë deklaratave të tij këtë javë, biznesmeni dhe kandidati për president Donald Trump tha se fëmijëve të lindur në Amerikë në familje emigrantësh që jetojnë ilegalisht në SHBA, duhet t’u mohohet nënshtetësia amerikane.

Sipas studimit të qendrës Pew, në Shtetet e Bashkuara gjenden mbi 11 milionë emigrantë pa dokumenta, më shumë se gjysma e të cilëve janë nga Meksika, dhe rreth 25 përqind nga vendet e tjera të Amerikës Qendrore. Grupet që mbrojnë të drejtat e emigrantëve thonë se ata duhet të lejohen të qëndrojnë edhe pa viza.

Njerëzit që kalojnë ilegalisht nëpërmjet kufirit me Meksikën kanë gjetur mënyra të ndryshme, pavarësisht se agjentët e patrullimit kufitar punojnë për të siguruar kufirin. Maya rikujton natën kur kaloi për në Texas rreth 10 vjet më parë.

Maya, emigrante pa dokumente: “E dija se do të përballesha me shumë probleme për shkak se nuk kam dokumenta. Sidoqoftë, shumë prej nesh kanë ecur përpara në jetë pavarësisht se mungojnë letrat.”

Maya ndoqi rrugëtimin e të dashurit, tashmë bashkëshort i saj, i cili gjithashtu erdhi ilegalisht në Shtetet e Bashkuara nga Meksika. Ata kanë një vajzë 8-vjeçare, që lindi në Maryland, dhe tashmë është nënshtetase amerikane.

“Frika ime më e madhe është se mund të më deportojnë, ose të më burgosin,” thotë Maya.

Dan Stein, kreu i Federatës për Reformën e Emigracionit, thotë se emigrantët ilegalë duhet të deportohen.

“Ka qindra milionë njerëz që do të donin të zhvendosen në SHBA. Çdokush mund të vendosë për këtë lëvizje nëse mendojnë se do t’ia dalin më mirë ekonomikisht.”

Por, ideja e një deportimi masiv është qesharake, thotë George Escobar, i një shoqate që mbron emigrantët latinë në Maryland.

“Është me më pak kosto dhe më dobiprurëse për ekonominë amerikane nëse legalizohen dhe u ofrohet mundësia e marrjes së nënshtetësisë në të ardhmen.”

Të ashtuquajturat “qytete strehë”; 276 qytete në 32 shtete nuk e lejojnë policinë të ndalojë dhe të pyesë njerëzit vetëm për të përcaktuar statusin e tyre të emigracionit.

Zoti Stein thotë se policia duhet ta ketë mundësinë të pyesë njerëzit që dyshon se ndodhen në vend ilegalisht:

“Kjo duhet të jetë pjesë e praktikave të policisë në komunitetet lokale.”

Por, zoti Escobar thotë se në atë rast policia do të tejkalonte kompetencat.

“Çdo bashkëveprim midis zyrtarëve federalë të emigracionit dhe policia lokale është i pajustifikuar.”

Të dy bien sidoqoftë dakort se sistemi i emigracionit në SHBA ka nevojë të reformohet:

“Nuk bëhet fjalë të lëmë dyert hapur dhe të vazhdojnë prurjet pa pushim, por duhen studiuar nga afër modelet e emigracionit.”

Zoti Stein propozon diçka tjetër:

“Njerëzit duhet të largohen nga vendi, t’i binden ligjit, dhe pastaj të bëjnë sërish kërkesë për të marrë vizë.”

Vitin e kaluar, Presidenti Barack Obama nënshkroi një urdhër ekzekutiv që do të lejonte rreth gjysmën e emigrantëve pa dokumenta të qëndrojnë në SHBA. Por, kundërshtarët e kësaj iniciative e kanë paditur këtë urdhër në gjykata.

XS
SM
MD
LG