Lidhje

Energjia, nis operacioni kundër vjedhjeve


Kryeministri Rama: Ndërhyrje që sistemi të shpëtojë nga kolapsi. Operacioni do të nisë nga bizneset që abuzojnë me energjinë

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama tha sot se operacioni i gjerë kundër vjedhjes së energjisë është një mundësi që sektori të shpëtojë nga kolapsi dhe ekonomia e vendit të mund të marrë frymë drejt një rritje të shpejtë të saj. Kryeministri përsëriti dhe një herë se ky operacion do të nisë me bizneset e mëdha të cilat abuzojnë me energjinë, vecanërisht në zonën kryesore ekonomike të vendit, atë mes Tiranës dhe Durrësit.

Energjia në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:12 0:00

“Arsyeja pse ne jemi këtu është për të çelur një operacion masiv, një operacion të thellë që synon të kthejë përfundimisht faqen në këtë sektor, duke kthyer përfundimisht energjinë nga një pasuri që mund të vidhet lirisht, në një burim mirëqenieje dhe rritje ekonomike, një burim përfitimi për Shqipërinë dhe shqiptarët, me premisën që kushdo që e konsumon e paguan”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.

Ai foli në një aktivitet ky merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve kryesore në ditën kur ndërhyrja kundër vjedhjes së energjisë nis të zbatohet sipas një plani që sheh angazhimin edhe të policisë. Zërave se ky operacion mund të cojë në prekjen e shtresave të varfëra të popullsisë kryeministri ju përgjigj se “ata që vjedhin energjinë nuk janë as pensionistët dhe as njerëzit në nevojë”, duke drejtuar gishtin jo vetëm te punonjës brenda sistemit energjitik, por kryesisht te bizneset. Për këtë arsye ai theksoi se “Ky operacion është qartësisht një operacion i orientuar në radhë të parë nga hajdutët e mëdhenj, nga burimet e mëdha të humbjeve. Parafytyroni vetëm kaq, në autostradën Tiranë – Durrës dhe në pellgun Tiranë – Durrës është 60 % e problemit tonë. 60 % e problemit tonë, në zonën ku ka më shumë densitet aktiviteti ekonomik dhe ku, siç e dini mirë shumë të gjithë ju që e njihni atë zonë, edhe në bashkëpunim me ju, kompanitë paguajnë sa për një familje, ndërkohë që konsumojnë sa për një lagje”.

Kryeministri Rama deklaroi se ndërhyrja është mëse urgjente për ta shpëtuar sistemin energjitik nga kolapsi dhe nga një gjendje që nëse do të vazhdonte do të mund të kërkonte me pas ndërhyrje më të dhimbshme, theksoi ai. Sipas tij, nga kjo ndërhyrje edhe ekonomisë së vendit i clirohet frymëmarrja: “Jemi realisht në një moment jashtëzakonisht kritik dhe kemi një mundësi. Një mundësi reale që e provojnë të gjitha analizat shumë të kujdesshme dhe me ekspertizë të lartë ndërkombëtare që kemi bërë, që në 4 vjet, ne ta kthejmë këtë sektor në një sektor fitimprurës, nga ku të çelim një fazë të re rritjeje të jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale, falë kontributit që ky sektor do të na japë dhe që ndryshe nga sektorë të tjerë është një kontribut që krijon premisa zhvillimi në shumë nivele”.

Kreu i qeverisë tha se ky proces që nis sot do të shoqërohet me një seri reformash në të gjithë sistemin, duke njoftuar se administrimi i kompanisë së shpërndarjes do t’i besohet një shoqërie të huaj, ndërkohë që sipas tij edhe në sistemet e matjes së energjisë do të zbatohen tekonologjitë e reja.

Sipas autoriteteve humbjet nga vjedhjet i kushtojnë arkës së shtetit afër 150 milion euro në vit.

XS
SM
MD
LG