Lidhje

Engel: Zgjedhjet një hap i rëndësishëm përpara për Kosovën

Numri dy i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, ligjvënësi demokrat Eliot Engel, nxorri një deklaratë në lidhje me zgjedhjet e fundit për pushtetin komunal në Kosovë duke uruar qytetarët e saj për zgjedhjet e 3 nëntorit.

"Dua të uroj qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët votuan të dielën më 3 nëntor në zgjedhjet për pushtetin komunal. Procesi i votimit, në përgjithësi ishte transparent, i menaxhuar mirë, i rregullt dhe pjesëmarrja ishte relativisht e lartë në mbarë Kosovën. Këto zgjedhje paraqesin një hap të rëndësishëm përpara për demokracinë e re të Kosovës, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për rrugën e Kosovës drejt integrimit Euro-Atlantik", tha ligjvënësi Engel.

Ai dënoi veprimet e dhunshme në ditën e zgjedhjeve në Mitrovicën veriore.

"Megjithatë, unë e dënoj fuqishëm dhunën në ditën e zgjedhjeve në disa vendvotime në veri të Kosovës. Unë u bëj thirrje autoriteteve të hetojnë dhe të ndjekin penalisht autorët e veprimeve të dhunshme, të cilët u përpoqën të parandalonin qytetarët nga ushtrimi i të drejtës së tyre themelore për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Unë gjithashtu u bëj thirrje autoriteteve në Beograd të bashkëpunojnë plotësisht me Prishtinën dhe EULEX-in në hetimin e incidenteve. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se këto incidente nuk i heqin vlerën procesit zgjedhor, i cili ishte i suksesshëm dhe do të avancojë përpjekjet për stabilitet dhe demokraci në Kosovë dhe në rajon", thuhet në fund të deklaratës së ligjvënësit Eliot Engel.
This item is part of
XS
SM
MD
LG