Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nuk u kushtoi rëndësi shqetësimeve të SHBA lidhur me vendimin e qeverisë së tij për të blerë nga Rusia një sistem S-400 për mbrojtjen nga raketat.
Në një fjalim të mërkurën përpara kryetarëve të bashkive të partisë së tij në pushtet, zoti Erdogan duke iu referuar Shteteve të Bashkuara u shpreh: "Ata u çmendën sepse bëmë marrëveshjen për sistemin S-400. Çfarë duhej të bënim? T’ju prisnim ju? Ne po marrim dhe do të marrim të gjitha masat në frontin e sigurisë."
Blerja e raketave me vlerë prej miliarda dollarësh ishte një goditje tjetër ndaj marrëdhënieve tashmë të tensionuara me Shtetet e Bashkuara, të cilat për muaj të tërë lobuan kundër marrëveshjes.
Zëdhënësi i Pentagonit Johnny Michael tha në një deklaratë: "Ne u kemi përcjellë shqetësimet tona zyrtarëve turq në lidhje me blerjen e mundshme të S-400. Një sistem mbrojtës nga raketat i ndërveprueshëm me sistemet e NATO-s mbetet altaernativa më e mirë për të mbrojtur Turqinë nga kërcënimet e ndryshme në rajonin e saj".
Turqia gjithashtu ka hedhur poshtë shqetësimet lidhur me çështjen e përputhshmërisë së sistemit rus me sistemet që përdoren në NATO.
Aleatët e Turqisë në NATO-s kanë paralajmëruar Ankaranë se të gjithë anëtarët janë të detyruar të përdorin armë që mund të integrohen me sistemet e njëri-tjetrit dhe se sistemet ruse nuk i plotësojnë kriteret.
Turqia ka kundërshtuar duke përmendur rastin e blerjes nga Greqia disa vjet më parë të një sistem mbrojtës rus S-300. Zoti Erdogan, megjithatë, la të kuptohet se marrëveshja e debatueshme e vendit të tij ishte ndikuar pjesërisht nga tensionet e tanishme me aleatët perëndimorë.
Facebook Forum