Lidhje

Eshtrat e ushtarëve amerikanë në Luftën Koreane


Shtetet e Bashkuara kanë filluar procesin e përpiktë të identifikimit të atyre që besohet të jenë eshtrat e ushtarakëve amerikanë të rënë gjatë Luftës së Koresë. Koreja e Veriut ka dorëzuar 55 kuti me eshtra siç u ra dakord gjatë samitit të 12 qershorit mes udhëheqësve amerikanë dhe koreanoveriorë në Singapor. Zyrtarët ushtarakë amerikanë njoftuan të martën mediat rreth procesit të identifikimit të eshtrave.

Koreja e Veriut ka kthyer 55 grupe eshtrash që besohet të jenë të trupave amerikane të vrarë në Luftën e Koresë. Ato u mirëpritën në një ceremoni zyrtare të mërkurën në Havai.

Pentagoni dha dje informacione në lidhje me eshtrat dhe hollësi për procesin e përcaktimit të identitetit të tyre.

"Eshtrat e këtyre 55 rasteve janë vlerësuar plotësisht në laboratorin tonë dhe tashmë po kalojnë analiza mjeko-ligjore nga Dr. John Byrd dhe ekipi i tij shkencor”.

Kelly McKeague, kreu i agjencisë së mbrojtjes të ngarkuar me regjistrin e ushtarakëve të humbur, tha se agjencia ka mostrat e ADN-së nga anëtarët e familjes, për më shumë se 90 për qind të rreth 7,700 ushtarëve ende të zhdukur nga lufta. Por ai tha se ekspertët e mjekësisë ligjore do të përdorin gjithashtu shumë procedura të tjera për të identifikuar eshtrat.

"Ata përdorin mënyra të shumta të provave. Nëse kemi radiografi të kraharorit që ushtari e ka bërë kur hyri në shërbim, është një tregues për një vështrim analitik. Nëse kemi të dhëna dentare, kjo është një provë edhe më përcaktuese. Pra, duke përdorur këto metoda të shumta, për ADN-në, mund të bëjmë identifikimin për një ushtar të humbur".

John Byrd, kreu i ekipit mjeko-ligjor të agjencisë, thotë se një ekzaminim paraprak sugjeron se eshtrat ka shumë të ngjarë të jenë të ushtarëve amerikanë, por nuk është e qartë të sa prej tyre.

"Është pak proces i komplikuar shkencor për të përcaktuar për sa individë bëhet fjalë kur keni eshtra që janë shpesh të fragmentuara dhe në disa raste jo të ruajtura mirë".

Rrethanat që shoqërojnë këto eshtra janë në përputhje me gjetjet e mëhershme nga epoka e Luftës së Koresë, thotë Byrd.

"Provat materiale të gjetura me eshtrat ishin në përputhje me pajisjet ushtarake amerikane të përdorura në Luftën e Koresë dhe gjithashtu ishte në një gjendje që përputhet me atë të fushëbetejave të asaj lufte".

Zyrtarët e mbrojtjes thonë se procesi i identifikimit mund të zgjasë një vit ose më shumë para se ekspertët të mund të arrijnë në konkluzione përfundimtare. Sapo të identifikohet, eshtrat do të transferohen te të afërmit për varrim.

Lufta Koreane nisi në qershor të vitit 1950, pas një serie përleshjesh kufitare mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Ajo përfundoi me një armëpushim të nënshkruar në korrik të vitit 1953. Më shumë se 33,000 trupa amerikane u vranë në luftë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG