Me fillimin e vitit të ri, monedha euro do të jetë e pranishme në shkëmbimet e rregullta monetare edhe në një ndër vendet baltike.
Estonia u bë e para republikë ish-sovjetike që braktis monedhën e saj kombëtare, kruna në favor të monedhës së përbashkët evropiane.
Në momentin e ndërrimit të viteve, kryeministri i vendit Andrus Ansip u bë i pari estonez që tërhiqte nga bankomati kartmonedhat euro në kryeqytetin e vendit, Talin.
Estonia e ka përqafuar monedhën e re në një kohë të trazuar si për euron ashtu edhe për euro-zonën. Dy anëtarë të kësaj zone – Greqia dhe Irlanda kanë pasur nevojë për paketa ndihme për të përballuar krizën financiare, ndërkohë që Spanja, Portugalia dhe Italia janë në një gjendje të lëkundur në këto momente.