Lidhje

Shqetësimet e fermerëve për përdorimin e etanolit


Në muajin nëntor, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit propozoi uljen e sasisë së parashikuar me ligj të etanolit në përbërjen e karburantit që përdoret për makinat. Ligji i tanishëm kërkon që rafineritë të përdorin 68 miliardë litra etanol deri vitin e ardhshëm. Ndryshimet e propozuara do ta ulnin sasinë e kërkuar në rreth 56 miliardë litra. Fermerët në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara, të cilët kultivojnë misër për të prodhuar etanol, thonë se ndryshimet e propozuara mund t’i dëmtojnë ata financiarisht.

Ka qënë një vit i begatë në fushat e misrit të Polos në Ilinoi për fermerin Brian Duncan.

“Këtë vit ne patëm prodhime rekord dhe një sasi të madhe të korrash”.

Është një situatë e ngjashme në gjithë vendin – fermerët, që një vit më parë u përballën më një situatë të vështira për shkak të thatësirës së madhe, këtë vit ata mund të kenë siguruar prodhimet më të mira për sa mbahet mënd.
Por pikërisht këtu mer fund lajmi i mirë, thotë fermeri Duncan.

“Ndërsa shikojmë një shtim të prodhimit, çmimi i misrit për kilogram ka rënë”.

Me kalimin e çdo dite, çmimi i misrit vazhdon të bjerë nga rekordi prej 28 dollarësh për kuintal që arriti në kulmin e thatësirës vitin e kaluar.

“Misri me vlerë prej 16 dollarësh për kuintal në këtë mjedis është një investim mjaft i vështirë, e jo më po të arrihet në 10 ose 12 dollarë për kuintal, çmim që mund të shoqërohet me një sasi të madhe të korrash dhe kjo është arsyeja që ne kemi nevojë për një përzjerrje më të lartë etanoli”.

Kërkesa për etanol, një karburant i lëngët i krijuar nga misri, u shtua në vitin 2007 kur u miratua Standardi i Karburantit të Ripërtëritshëm. Ky standard kërkonte që prodhuesit e karburanteve të përzjenin në to sasi etanoli, sasia e të cilit të rritet me kalimin e viteve. Ky ishte një lajm i mirë për prodhuesit e misrit si zoti Duncan, të cilët përjetuan një rritje të vazhdueshme të kërkesës për prodhimet e tyre. Por kohërat po ndryshojnë, thotë Craig Turner, redaktor i faqes elektronike, GrainAnalyst.com.

“Ne kemi arritur maksimumin e prodhimit të etanolit. Që prej vitit 2008, Shtetet e Bashkuara konsumojnë rreth 9 për qind më pak karburant se në të kaluarën. Ne mund të përdorim vetëm 10 për qind etanol në përzjerrjen e karburantit dhe ne e kemi arritur këtë maksimum, pra ne nuk mund të prodhojmë më shumë etanol dhe nëse efikasiteti i karburantit përmirësohet, atëhere përbërja e etanolit mund të ulet edhe më shumë”.

Zoti Turner thotë se një faktor ironik, që ul kërkesën për etanol, është numri në rritje i makinave me karburant me efikasitet të lartë.

“Çdo vit që makinat e vjetra zëvëndësohen me makina me karburtant më të efektshëm, ne do të përdorim më pak karburant dhe meqë përdorimi i etanolit nga misri ka arritur kulmin, kjo do të dëmtojë në fakt fermerët”.

Ky nuk është skenari mbi të cilin i kishte bërë parashikimet fermeri Brian Duncan.
Pasiguria më e madhe për fermerët ka qënë moti, por me ndryshimin e standardeve të etanolit, rënien e çmimeve të misrit dhe mungesën e veprimit në Kongresin amerikan mbi një projekt ligj të ri për fermat, moti duket se është pengesa më pak e pasigurtë me të cilën Brian Duncan dhe fermerë të tjerë amerikanë përballen vitin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG