Lidhje

Rriten me 50% pagat për strukturat e Vettingut


Në Shqipëri qeveria miratoi sot rritjen me 50 përqind të pagave për të 27 anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Apelit dhe dy komisionerët e zëvendësat e tyre, strukturat e posaçme, të cilat do të kryejnë procesin e rivlerësimit të mbi 800 gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë, pjesë e reformës në drejtësi.

“Qeveria shqiptare, ashtu siç ka premtuar se do të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në aspektin buxhetor dhe atë infrastrukturor, me vendimin e sotëm rikonfirmoi angazhimin e saj serioz”, - deklaroi pas mbledhjes së qeverisë ministrja e drejtësisë Etilda Gjoni.

Dy javë më parë shumica kishte refuzuar kërkesën e strukturave të rivlerësimit për një rritje të fortë të pagës së tyre, duke mbrojtur edhe në parlament, variantin se pagat e parashikuara në ligj, në nivelet e anëtarëve të Gjtkatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, ishin më të lartat në piramidën e sistemit shtetëror të pagave në Shqipëri.

Me votat e saj shumica e majtë rrëzoi dhe kërkesën për personelin mbështetës të strukturave të rivlerësimit, duke miratuar variantin e saj që e reduktonte në 110 nga 185 numrin e punonjësve të propozuar.

Opozita, si Partia Demokratike ashtu dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e kundërshtoi qëndrimin e socialistëve. Ata propozuan amendamente të posaçme, të cilat ishin në një linjë me kërkesat e institucioneve të rivlerësimit.

Të dyja palët akuzuan drejtuesit e shumicës se “përmes trysnisë financiare, po synon të vërë nën kontroll sistemin e drejtesisë”.

Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat se po synon kontrollin e procesit, duke deklaruar se struktura e institucioneve të rivlerësimit është rishikuar në kuadër të riorganizimit të gjithë administratës publike.

“Ndryshimet që janë bërë nuk kanë eliminuar asnjë funksion, por kanë reduktuar staf të tepërt, të kotë, të paarsyetuar”, - tha zoti Rama duke shtuar se “në varësi të ngarkesës së punës dhe të ecurisë së saj, në varësi të çfarë puna do të sjellë, ne këtu jemi dhe mjafton të na provohet nevoja për më shumë staf dhe padyshim do të konsiderohet prioritet”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG