Lidhje

Luftëtarët e kthyer nga Lindja e Mesme - shqetësim për Evropën


Gilles de Kerchove

Bashkërenduesi i Bashkimit Evropian për luftën kundër terrorizmit Gilles de Kerchove, bën thirrje për përmirësimin e shkëmbimit të informacioneve ndërmjet vendeve të BE-së dhe me Shtetet e Bashkuara dhe Turqinë, për të vëzhguar me mirë luftëtarët e huaj që kanë qëndruar përkrah grupit militant Shteti Islamik.

Ai pritet që këtë çështje ta diskutojë të premten në takimin e ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian të cilët do të mblidhen për të debatuar shtimin e përpjekjeve për të penguar të kthyerit që mund të jenë dërguar nga ISIS- për të kryer sulme në vendet e tyre.

Zoti Gilles de Kerchove, vlerëson se rreth 2 mijë deri në 2 mijë e 500 "luftëtarë të huaj terrorist", nga Evropa janë ende në Siri dhe në Irak.

Në dokumentin e tij që e ka parë agjencia e lajmeve Reuters, thuhet se ndërmjet 600 dhe 1 mijë syresh janë vrarë në konflikte, ndërsa 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 750 tashmë janë kthyer në Evropë.

"Është me rëndësi që të shkëmbehen informacione për të kthyerit ne Evropë, atyre që janë duke udhëtuar por edhe atyre që janë ende në zonën e konfliktit", thekson ai në dokument.

"Janë kryesisht dy kategori të të kthyerve. Ata që kthehen parapa pa ndonjë synim dhe ata që dërgohen prapa me mision të caktuar që është edhe shqetësimi kryesor".

Ai nuk pret ndonjë valë masive të të kthyerve por edhe më parë ka tërhequr vërejtjen se ISIS-i mund të sulmojë Evropën sërish.

Zoti De Kerchove tha se BE-ja duket të kërkojë më shumë informacione të mbledhura në Siri e Irak nga Shtete e Bashkuara dhe u bën thirrje vendeve anëtare që të përditësojnë më rregullisht të dhënat, përfshirë edhe ato biometrike.

BE-ja mund të shtojë bashkëpunimin me Turqinë, rrugën kryesore të të kthyerve për në Evropë dhe të hartojë programe rehabilitimi e riintegrimi "qoftë brenda dhe jashtë burgjeve" për ata që kthehen.

Vlerësimet e organizatave të ndryshme të përfshira në luftën kundër terrorizmit flasin për rreth 6 mijë luftëtarë nga Evropa që mund t'u jenë bashkuar konflikteve në Siri dhe Irak.

Afro 4 mijë e 200 prej tyre janë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe pjesa më e madhe, rreth 2 mijë e 800 prej tre janë nga katër vende: Belgjika, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe.

Rreth 900 luftëtarë nga Ballkani mund t'u jenë bashkuar konflikteve pas shpërthimit të luftës në Siri.

XS
SM
MD
LG