Lidhje

BE diskuton për çështjen e emigrantëve


Ministrat evropianë të drejtësisë dhe të punëve të brendshme zhvilluan sot një takim në Luksemburg për të diskutuar politikën e Bashkimit Evropian për emigrantët, pas katastrofës së anijes së mbytur pranë ishullit të Lampeduzës. Tragjedia ka vënë theksin tek problemet e vendeve të BE-së në trajtimin e fenomenit të anijeve me emigrantë – shumë prej të cilëve janë azil kërkues legjitimë – që përmes Mesdheut shkojnë nga Afrika e Veriut drejt Evropës.

Mbi 300 njerëz mendohet të jenë mbytur, pasi anija e mbushur plot mori zjarr dhe u përmbys të enjten e kaluar vetëm 1 kilometër larg destinacionit: ishullit siçilian të Lampeduzës.

Ekipet e kërkimit nxorrën dje 38 trupa të tjerë nga anija e zhytur në më shumë se 40 metra thellësi, duke e çuar numrin e përgjithshëm të trupave të gjetur në 232.
Ministri i Brendshëm i Lituanisë Dailis Alfonsas tha para takimit se ministrat do të përpiqeshin të gjenin një zgjidhje që tragjedi si kjo të mos përsëriten:

“Tragjedi të tilla nuk do të ndodhin më në të ardhmen, ky është qëllimi më i rëndësishëm i takimit.”

Komisionerja evropiane për Punët e Brendshme Cecilia Malmstrom u kërkoi të 28 shteteve anëtare të përshpejtojnë përpjekjet për të parandaluar këto fatkeqësi dhe tha se ajo do të bëjë thirrje për rritje të buxhetit për Frontex, agjencinë e Bashkimit Evropian për Sigurinë e Kufirit.

“Unë do t’i propozoj shteteve anëtare të organizojnë një operacion të gjerë sigurie dhe shpëtimi përmes Frontex, që të përfshijë të gjithë Mesdheun, nga Qiproja në Spanjë. Do të kërkoj mbështetje dhe burime për ta realizuar këtë, që të shpëtohen sa më shumë jetë.”

Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedric bëri thirrje për një goditje më të ashpër ndaj kontrabandistëve të trafikut të emigrantëve.

“Kemi nevojë të bashkëpunojmë me vendet e Afrikës për të trajtuar rrjetin e trafikut njerëzor. Ajo që po ndodh atje është e pabesueshme. Trafikantët në Afrikë joshin njerëzit me premtime, u marrin paratë dhe pastaj i dërgojnë përgjatë Mesdheut me këto barka jashtëzakonisht të pasigurta. Kjo nuk mund të vazhdojë të ndodhë dhe ne kemi nevojë për një angazhim të përbashkët mes shteteve të BE-së dhe Afrikës për ta shmangur këtë.”

Fatkeqësia e anijes së mbytur pranë Lampeduzës ka risjellë vëmendjen tek probleme të emigracionit të paligjshëm nga Afrika Veriore që zgjasin prej dekadash. Ky ishte një nga incidentet më të rënda të emigrantëve për arsye ekonomike dhe refugjatëve që nga Afrika përpiqen të kalojnë Mesdheun në kërkim të një jete të re në Evropë.

XS
SM
MD
LG