Lidhje

BE thirrje udhëheqësve të Ballkanit për përmbajtje nga deklaratat nxitëse


Bashkimi Evropian u bëri thirrje të hënën udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor të përmbahen nga deklaratat të cilat sipas tyre mund të jenë në dëm të fqinjësisë së mirë dhe pajtimit.

BE, thirrje udhëheqësve të Ballkanit për përmbajtje nga deklarata nxitëse
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:40 0:00

Reagimi pasoi përplasjet në distancë ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë me zyrtarë të Serbisë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha sot se Brukseli e di për disa deklarata të ditëve të fundit që sipas tij nuk shkojnë në drejtim të rritjes së mirëbesimit dhe pajtimit mes popujve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Do të duhej të ishte e qartë për të gjithë përfaqësuesit e vendeve të cilat kanë aspirata për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, se ata do të duhej të përmbushin detyrimet e tyre për të forcuar marrëdhëniet mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal. Këto janë vlera të cilat i mbron dhe avancon Bashkimi Evropian. Udhëheqësit politik në të gjitha këto vende duhet vërtetë të jenë shembull duke zgjedhur që të punojnë së bashku, të nxisin bashkëpunimin dhe klimën e besimit të ndërsjellë, respektit dhe mirëkuptimit, e jo të ndërmarrin hapa ose të japin deklarata që shkojnë në të kundërtën”, tha zoti Stano.

Të hënën qeveria e Kosovës reagoi ndaj deklaratave të ministrit të punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç i cili në një emision televiziv ka ngritur siç thotë ai shqetësimin që disa serbë po ju tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë.

Qeveria tha se është thellësisht e zhgënjyer me deklaratat e zyrtarëve të lartë të Serbisë të cilët sipas saj vazhdojnë të shfaqin mungesë respekti për viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

Në reagimin e qeverisë së Kosovës thuhet se “këto deklarata skandaloze, përveç që fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”, thuhet në reagimin e qeverisë në të cilin nënvizohet kundërshtim ndaj një mendësie të tillë politike ndërsa pret që e njëjta të kundërshtohet edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dënoi të hënën mbrëma siç tha “deklaratat fyese të Ivica Daçiçit dhe Aleksandër Vulinit ndaj viktimave civile të luftës, të vrarë nga regjimi i Millosheviçit, janë provë se Serbia ende nuk i ka ndryshuar politikat e saj fashiste drejt Kosovës. Veprime të tilla dëmtojnë bisedimet dhe minojnë përpjekjet tona të përbashkëta për pajtimin”, shkroi presidenti Thaçi në llogarinë e tij në twitter.

Gjatë fundjavës, përplasje deklaratash pati edhe ndëmrjet kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe ministri serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i cili sulmoi mbledhje e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Një muaj më parë të dyja vendet u dakorduan për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, por sfidë mbetet zgjidhja politike e cila diskutohet në Bruksel. Procesi duket që ka ngecur prapë për shkak të mospajtimeve për temat që do të duhej të diskutohet ndërmjet dy vendeve.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi qëndroi të hënën në Bruksel ku u takua me të dërguarin e Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në një postim në rrjetin social, presidenti Thaçi tha se bisedimet nuk kanë asnjë alternativë dhe se Kosova e Serbia duhet të arrijnë marrëveshje përfundimtare. “Ne kemi nevojë për Bashkimin Evropian sikurse kjo e fundit që ka nevojë për neve. Ne duhet të veprojmë. Lajçak ka mbështetjen time”, shkroi presidenti Thaçi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG