Lidhje

Bisedimet Kosovë - Serbi, vazhdojnë të dielën


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të takohen të dielën më 24 qershor në Bruksel.

Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se "ata do të vazhdojnë punën e tyre në fazën e bisedimeve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, do të diskutojnë për marrëveshjet ekzistuese, të informojnë për arritjet e deritashme dhe të diskutojnë hapat e ardhshëm duke pasur parasysh një periudhë intensive bisedimesh që priten në të ardhmen".

Takimi i së dielës shihet si një përpjekje për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Bisedimet fillimisht teknike mes Kosovës dhe Serbisë nisën në vitin 2011. Në prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia arritën e marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj. Bisedimet e deritashme i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Por ajo vazhdon të jetë e fundit në proceset integruese evropiane.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje. Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një "kompromis", por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai. Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t'i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë prerazi nga Prishtina.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG