Lidhje

Dështon takimi në Bruksel - Vuçiç refuzon të takohet me Thaçin


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takuan secili veç e veç me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në Bruksel, por jo edhe më njëri tjetrin, meqë presidenti serb refuzoi të takohej për shkak të siç u tha, "qasjes kërcënuese të Prishtinës".

Dështon takimi Thaçi-Vuçiç
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:44 0:00

Megjithatë, zonja Mogherini, tha nëpërmjet një komunikate se ajo zhvilloi disa takime dypalëshe për të gjitha çështjet e hapura.

"Vështirësitë mbeten. Besoj në përkushtimin e plotë të të dy presidentëve për të vazhduar procesin dhe për të arritur më muajt e ardhshëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse , detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Unë do ta organizojë takimin e radhës para javës ministrore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për t'i bërë bashkë palët që të punojnë në përmbajtjen e marrëveshjes", thuhet në njoftimin e zonjës Mogherini.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se vetëm sa po rriten vështirësitë për arritjen e një marrëveshjeje.

"Gjërat po bëhen edhe më të vështira sepse mospajtimet po thellohen dhe dallimet po shfaqen edhe pse sot kemi diskutuar vetëm përmes zonjës Mogherini dhe ato shfaqje të dallimeve të mëdha kanë ndikuar që të jemi në këtë fazë të reflektimit për vazhdimin e mëtutjeshëm. Këto takime janë shumë të rënda, shumë të vështira, pothuajse me gjasa teorike për arritjen e ndonjë marrëveshjeje", por sipas tij, "dialogu nuk ka alternativë".

​Ai sërish shtroi kërkesën për bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën, me gjithë mospajtimet në skenën politike në Kosovë rreth ideve të tij për "korrigjimin e kufirit".

Shefi i zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriç, tha se presidenti serb kishte vendosur të refuzojë takimin pas, siç tha ai, “kërcënimeve, madje edhe ndaj vajzës 16 vjeçare të presidentit, sulmeve, shantazheve, si dhe përpjekjeve që t’i ndalohet vizita në veri të Kosovës dhe tek liqeni i Gazivodës" nga ana e autoriteteve në Prishtinë.

Ai tha po bëhen përpjekje nga Prishtina për ta bërë të pakuptimtë çdo bisedë, duke përcaktuar që më parë se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bisedohet dhe sipas tij, "nuk dihet nëse do të ketë mundësi të vazhdohen bisedimet me njerëz të tillë". Ai tha se në tryezën e bisedimeve është "territori i diskutueshëm i Kosovës" dhe jo Lugina e Preshevës që është pjesë e Serbisë.

Dy javë më parë të dy presidentët kërkuan mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedime, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e ka shpallur politikë të tij vënien e kufijve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, që nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës.

Presidenti Thaçi shkoi në Bruksel duke lënë në shtëpi një skenë politike thellësisht të ndarë rreth bisedimeve me Serbinë. Partitë opozitare thonë se do të ndërmarrin çdo veprim politik, përfshirë edhe protestat, për të penguar presidentin dhe këdo tjetër të negociojë për tërësinë tokësore të Kosovës.

Vuçiç, shkëputë kontaktet me Kosovën

Zyrtarët serbë thanë se presidenti Vuçiç ka urdhëruar ushtrinë, policinë dhe shërbimin serb të zbulimit, që të shkëpusin çdo kontakt me autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë dhe se të premten në mbrëmje, do të vendosë nëse do të shkojë apo jo në Kosovë.

Zyrtarët serbë thanë se kjo ishte rrjedhojë e refuzimit të Prishtinës zyrtare për t'i dhënë leje atij që të qëndrojë për një vizitë në liqenin e Gazivodës, që është edhe një nga pikat e nxehta të bisedimeve.

Presidenti Thaçi tha se ai ka leje për të vizituar Kosovën duke vlerësuar se është i nevojshëm një komunikim për të dërguar mesazhe paqeje tek qytetarët serb.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli tha se për çdo vizitë zyrtarët serbë duhet të bëjnë kërkesë të qartë dhe të arsyetojnë atë.

" Nëse vjen një kërkesë tjetër dhe artikulohet arsyeja e vizitës tek Ujmani, do ta konsiderojmë sigurisht", tha zoti Pacolli.

Zyrtarët serbë pohojnë se ata kishin bërë kërkesën me kohë duke akuzuar Prishtinën se qëllimisht e ka ndarë çështjen e vizitën në liqen ndarazi nga pjesa tjetër e vizitës.

Presidenti i Serbisë e kishte paralajmëruar ditë më parë një vizitë në veriun e Kosovës duke thënë se është duke përgatitur fjalimin më të rëndësishëm të jetës së tij, për t'u shpjeguar qytetarëve serbë procesin e bisedimeve dhe çfarë mund të përfitojnë ata dhe Serbia prej tij.

Madje në mediet serbë ishte vlerësuar se ai mund të jetë fjalimi më i rëndësishëm pas atij të ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç në Gazimestan afër Prishtinë në qershorin e vitit 1989, kur ai kishte shënuar rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe kishte paralajmëruar luftërat në ish Jugosllavi.

Presidenti serb Vuçiç kishte thënë se do t'u shpjegojë hapur qytetarëve serbë mundësitë e kufizuara të Serbisë në Kosovë në dritën e diskutimeve që kanë përshirë edhe mundësinë e ndryshimit të kufijve.

Këto mundësi, përveç reagimeve të brendshme në Serbi dhe Kosovë, nxitën ndarje edhe në skenën ndërkombëtarë midis atyre që mbështesin një ndryshim nëse bëhet me pajtimin e palëve dhe atyre që e kundërshtojnë atë, për shkak të pasojave që mund të kishte për rajonin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG