Lidhje

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel ekspertësh pa ndonjë përparim


Ekipet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë zhvilluan të enjten në Bruksel takimin e radhës në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, pa ndonjë përafrim të qëndrimeve.

Në bisedimet e ndërmjetësuara nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, u diskutua për kërkesat financiare dhe pronën.

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për opinion tha se “diskutimet ishin vazhdimësi e trajtimit të këtyre çështjeve në takimin e kaluar më 29 tetor 2020”.

Sipas qeverisë së Kosovës, në takimin e së enjtes nuk ka pasur përafrim të qëndrimeve. “Sidoqoftë, kishte pajtim që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme midis dy vendeve të vazhdojë në takimin e radhës”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha pas takimit se pozicionet e Beogradit dhe Prishtinës në çështjet e pronës dhe pretendimeve financiare mbeten shumë të largëta.

“Çështjen e parë që e kemi ngritur në bisedime ishte formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe kanë kaluar më shumë se 2 mijë ditë që nga nënshkrimi i marrëveshjes dhe ky asociacion nuk është themeluar. Për ne kjo është çështja kryesore kur flasim për vazhdimin e suksesshëm të bisedimeve”, tha ai.

Takimi ndodhi pas më shumë se një muaji kur është diskutuar për çështjet e pretendimeve pronësore dhe financiare.

Bisedimet Kosovë –Serbi të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, që ishin ndërprerë në fund të vitit 2018 për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe. rifilluan në muajin korrik. Megjithatë të dyja palët vazhdojnë të mbajnë qëndrime të kundërta për tema të ndryshme.

Çështja më e diskutueshme është ajo e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Beogradi kërkon debate për këtë çështje ndërsa Kosova e quan tashmë çështje të mbyllur.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe. Por, Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i jepte përgjegjësi ekzekutive një asociacioni të tillë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 me mbështetjen e fuqive kryesore perëndimore, por të dyja palët janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Në fillim të muajit shtator të dyja vendet u dakorduan për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, por sfidë mbetet zgjidhja politike e cila diskutohet në Bruksel.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG