Lidhje

BE-ja mbështet kundërshtimet ndaj projektligjit për financimin e partive politike në Kosovë


Diplomatët evropianë në Prishtinë thanë të martën se kuadri ligjor dhe institucional për kontrollimin e financimit të partive politike duhet t'i përmbahet standardeve më të larta.

Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, dhe shefat e misioneve diplomatike të Bashkimit Evropian në një deklaratë të përbashkët thanë se “protesta e djeshme e organizatave të shoqërisë civile në Prishtinë kundër amendamenteve të projektligjit për financimin e partive politike, është një tërheqje e rëndësishme e vëmendjes për nevojën e llogaridhënies, mbikëqyrjes e transparencës”.

Partitë parlamentare, thuhet në deklaratë, duhet të marrin parasysh kërkesat e shoqërisë civile për të siguruar që ky ligj është në përputhje me opinionin ligjor të Komisionit të Venecias, dhe për këtë qëllim, të diskutohet në Komisionin Ad Hoc për Forcimin e Procesit Zgjedhor. BE-ja e mbështet fuqimisht këtë. Kjo është një reformë kyçe në Agjendën Evropiane të Reformave, rekomandim i misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe është theksuar në mënyrë të përsëritur në raportin tonë vjetor të Kosovës”.

Në deklaratë theksohet se BE-ja i ka ngritur shqetësimet e veta tek institucionet e Kosovës dhe “përpjekjet në parlament për të minuar ligjin ngrehin shqetësime serioze”.

“Kuadri ligjor dhe institucional për kontrollin financiar të partive politike duhet t'u përmbahet standardeve të larta. Struktura institucionale në qendër të legjislacionit, përkatësisht Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zbatimin e mandatit të saj, buxhetit dhe personelit si dhe vendimmarrjes, duhet të jetë e pavarur nga përfaqësuesit e partive politike në KQZ. Një pavarësi e tillë është thelbësore për funksionimin e duhur të këtij trupi dhe duhet të kërkohet rreptësisht nga ligji”, thuhet në deklaratë.

Të hënën përfaqësues nga njëqind organizata të shoqërisë civile parakaluan nga ndërtesa e qeverisë së Kosovës drejt selive të partive politike në Prishtinë, për të shprehur kundërshtimin e tyre mbi projektligjin për financimin e partive politike në vend.

Ata thanë se projektligji aktual ulë llogaridhënien e partive politike, duke i bërë thirrje qeverisë që ta tërheqë atë para se të hidhet për lexim të dytë në parlament.

Pjesëmarrësit e “Marshit të Refuzimit”, siç e kishin cilësuar organizatorët atë parakalim, vendosën letra në dyert e selive të partive politike duke u bërë thirrje që ta kundërshtojnë projekt ligjin për financimin e tyre.

Këtë projekt ligj e kundërshtojnë edhe përfaqësuesit e partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por ai mbështetet nga partitë në pushtet. Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, pjesëmarrësit e protestës u larguan me forcë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG