Në një letër të përbashkët, 32 deputetë të Parlamentit Evropian i kërkuan kancelares gjermane Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm Horst Seehofer, që të vënë në rend dite çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Nga e mërkura Gjermania merr kryesimin e Bashkimit Evropian.
Në letrën e nënshkruar edhe nga raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, deputetët thanë se ka dy vjet që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.
"Aktualisht, Kosova është një nga vendet e pakta evropiane, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen pa viza. Sidoqoftë, kjo nuk varet më nga qytetarët e Kosovës. Procesi për të siguruar liberalizimin e vizave supozohet të mbështetet në kritere objektive, të cilat, siç njoftohet nga Komisioni Evropian, janë përmbushur në korrik të vitit 2018, saktësisht dy vjet më parë, dhe që atëherë vendi ka pritur vendimin përfundimtar të Këshillit për liberalizimin e vizave", thuhet mes tjerash në letër.
Deputetët shfaqin shpresën se lidhjet historike dhe angazhimi i Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor mund të përdoren për të zgjidhur këtë çështje. Ata hedhin poshtë pretendimet se Kosova nuk mund të përfitojë për shkak të numrit të kërkesave të pabazuar për strehim dhe problemeve me krimin e organizuar.
“Kosova ka përmbushur standardet. Ajo i ka kryer detyrat e shtëpisë, tani është radha jonë të mos e thyejmë premtimin. Ne po humbasim besueshmërinë tonë kur një vend po bënë atë që ne kërkojmë, por ato nuk përfiton nga premitmet tona. Si mund të kërkojmë ndonjë reformë tjetër nga vendet në fqinjësi, kur ata nuk mund të jenë të sigurt se mund të përfitojnë ndonjë gjë nga puna e tyre?" theksohet në letër.
Letra u mirëprit nga ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi.
"Më në fund. Ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse ka si qëllim vetëm disa biznese. Përqendrimi i Shteteve të Bashkuara në normalizimin ekonomik ka motivuar evropianët të ndërmarrin veprime", shkroi mes tjerash ambasadori Grenell.
Qytetarët e Kosovës të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.
Propozimi i parë për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian qe dhënë në maj të vitit 2016, por procesi i u bllokua për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Pas gati tri vjet debatesh e përplasjesh në parlamentin e Kosovës, por edhe jashtë tij, marrëveshja u ratifikua në mars të vitit 2018.
Në shtator të atij viti Parlamenti Evropian votoi në favor të liberalizimit, por Këshilli Evropian nuk arriti pajtim për përmbushjen e këtij synimi.
Facebook Forum