Këshilli Evropian emëroi të enjten diplomatin çek, Tomash Szunyog, në postin e Përfaqësuesit të ri të Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Zoti Szunyog do ta zëvendësojë përfaqësuesen e deritashme, Natalya Apostolova, e cila shërbeu në këtë post që nga korriku u vitit 2016.
Mandati i zotit Szunyog do të nisë më 1 shtator dhe do të përfundojë më 31 gusht të vitit të ardhshëm.
Në njoftimin e Këshillit Evropian thuhet se Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së ndihmon Kosovën që të jetë e përkushtuar për sundimin e ligjit, mbrojtjen e pakicave dhe trashëgimisë kulturore dhe fetare si dhe mbështet ardhmërinë evropiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në, në përputhje me perspektivën e rajonit dhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Përfaqësuesi i ri, Tomash Szunyog, i përfshirë në politikën çeke që në vitin 1992, ka punuar edhe më parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke shërbyer si ambasador i Çekisë në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Slloveni.
Facebook Forum