Lidhje

Thaçi: Njohja e ndërsjellë të jetë pika e parë e marrëveshjes Kosovë-Serbi


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të hedhë në tryezën e bisedimeve Kosovë – Serbi mundësinë e njohjes së ndërsjellë, që duhet të jetë sipas tij edhe pika e parë e marrëveshjes ndërmjet të dyja vendeve.

Thaçi: Njohja e ndërsjellë të jetë pika e parë e marrëveshjes Kosovë-Serbi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:37 0:00

Ai i bëri këto komente pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili po qëndron në Prishtinë, prej nga do të shkojë edhe në Beograd në përpjekje për të siguruar takime të reja ndërmjet palëve.

“Ka ardhur momenti që Bashkimi Evropian, nga ajo që shoh është edhe aktualisht unik në mbështetje të zotit Lajçak, të hidhet në tavolinë mundësia e diskutimit për njohje reciproke dhe duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes. Pastaj, çështjet tjera vijnë më lehtë dhe jo të fillohet apo vazhdohet me çështje teknike që kemi diskutuar dhe ridiskutuar tash e dhjetë vite në Bruksel”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se njohja e ndërsjellë në kuadër të marrëveshjes së mundshme në Bruksel, garanton qëndrueshmërinë në rajon dhe fqinjësinë e mirë, ndërsa e vlerësoi të rëndësishme rritjen e angazhimit të partnerëve ndërkombëtar rreth kësaj çështjeje.

“Edhe në takimin që kam zhvilluar ditë më parë me Lajçak në Bruksel ka qenë po tema të njëjta të diskutimit edhe gjithashtu në Washington në takimet që kam zhvilluar me autoritetet e larta të SHBA-së, në takime joformale, e gjithashtu edhe në Paris pardje, shoh një koordinim më të mirë dhe nivel më të lartë edhe të Bashkimit Evropian, të kryeqendrave pra edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ky është një mesazh i qartë, i mirë dhe mendoj inkurajues edhe për ne në Kosovë që të jemi sa më unik, sa më të bashkuar në këtë proces të dialogut përballë Serbisë, në mënyrë që të finalizohet ky proces sa më shpejt, sa më mirë, me njohjen reciproke të Kosovës me Serbinë”, tha ai.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, po vazhdon sot ditën e dytë të takimeve në Prishtinë me përfaqësuesit politik vendas, shoqërinë civile por edhe misionet ndërkombëtare.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, shkroi pas takimit me zotin Lajcak se “marrëveshjet e Washingtonit e plotësojnë këtë proces (të bisedimeve) të udhëhequr nga BE-ja. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të arritur qëllimet e përbashkëta: normalizimin dhe njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai.

Vizita e zotit Lajcak po ndodhë në një kohë kur vazhdimi i procesit të bisedimeve mbetet i paqartë për shkak të mospajtimeve rreth çështjes së Asociacionit të komunave më shumicë serbe në Kosovë.

Serbia kërkon që në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian të diskutohet për këtë asociacion, ndërsa Kosova thekson se kjo çështje është mbyllur me marrëveshjet ekzistuese të vitit 2013 dhe 2015.

Autoritetet në Serbi paralajmëruan një ditë më parë mundësinë e tërheqjes së përfaqësuesve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, në rast se nuk zbatohet marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe sipas marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013.

Por, kryeministri Avdullah Hoti pas takimit një natë më parë zotin Lajçak përsëriti qëndrimin se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është çështje e mbyllur dhe sipas tij Kosova ka marr garanci dhe mbështetje nga partnerët e saj që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Ai tha se nuk do t’u nënshtrohet trysnive që lidhen me çështjen e këtij asociacioni.

“Kur kemi hyrë në procesin e dialogut e para që kemi hequr nga tavolina ishte ideja shkëmbimit të territoreve dhe sot askush nuk flet për këtë temë dhe e dyta që nuk diskutohet, karakteri unitar i shtetit të Kosovës, që nënkupton nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive”, tha ai, duke nënvizuar se Kosova nuk po bllokon bisedimet.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe. Por, Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i jepte përgjegjësi ekzekutive një asociacioni të tillë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG