Lidhje

BE: Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem – vendim për keqardhje


Bashkimi Evropian, shprehu të hënën keqardhjen me vendimin e Kosovës për hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem, duke theksuar se është shqetësues çdo veprim që bie ndesh me qëndrimet e bllokut për statusin e Jerusalemit.

Të dielën Kosova tha se hapi ambasadën e saj në Jerusalem, duke u bërë vendi i tretë që hap misionin e saj diplomatik në atë qytet, një veprim që pasoi njohjen e ndërsjellë me Izraelin në shtator të vitit 2020, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha se blloku “shpreh keqardhjen për vendimin e Kosovës që të shmanget nga qëndrimi i BE-së lidhur me çështjen e Jerusalemit”, duke nënvizuar se qëndrimi i BE-së “është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, 478, e vitit 1980, që u bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së që të tërheqin nga Jerusalemi misionet e tyre diplomatike në Izrael. Të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së, sikurse edhe delegacioni i saj në Izrael, janë të vendosura në Tel Aviv”, tha ai.

Me 1 shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, pasi që kjo ishte pjesë e pajtimit të arritur në kuadër të një dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump.

Pjesë e zotimeve në atë dakordim ishte edhe ai i Serbisë për ta zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por kjo nuk ka ndodhur ende.

Menjëherë pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian ishte shprehur i shqetësuar me zotimin e Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.

“Qëndrimi afatgjatë i BE-së është i qartë. Duhet të gjendet mënyra për zgjidhjen e statusit të Jerusalemit përmes negociatave, si një kryeqytet i ardhshëm i të dyja shteteve dhe të përmbushen aspiratat e të dyja palëve. Çështja e Jerusalemit është çështje e statusit përfundimtar. Në këtë kontekst, çfarëdo hapi diplomatik i cili vë në dyshim qëndrimin e përbashkët të BE-së, është shqetësim serioz dhe për keqardhje”, tha zëdhënësi i BE-së.

Vendimi i Kosovës u dënua të dielën nga ministria e Jashtme turke e cila tha se udhëheqësit e Kosovës “kanë vepruar në kundërshtim me parametrat e vendosura të procesit të paqes, duke përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara për statusin e Jerusalemit dhe dëmtuar vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe shpresat e paqes në rajon. Ne i inkurajojmë udhëheqësit kosovar që të dëgjojnë mendjen e shëndoshë dhe të heqin dorë nga ky hap i papërgjegjshëm dhe i paligjshëm”, thuhej në një komunikatë të kësaj ministrie.

Në fund të vitit 2017, ish presidenti amerikan Donald Trump, shpalli vendimin e qeverisë së tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraeli dhe në maj të vitit 2018 hapi ambasadën në atë qytet. Guatemala është vendi i dytë që zhvendosi ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.

Të enjten në 11 mars Republika Çeke hapi përfaqësinë e saj diplomatike në Jerusalem. Zëdhënësi i BE-së ritheksoi qëndrimet e bllokut, duke nënvizuar se Republika Çeke, hapi atë “që është përshkruar si zyrë në Jerusalem e Ambasadës në Izrael”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG