Lidhje

BE-ja e shqetësuar më tensionet në Maqedoni - kërkon formimin e shpejtë të qeverisë


Zyrtarë të Bashkimit Evropian i bënë thirrje të martën mbrëma presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov që të rishqyrtojë qëndrimin e tij lidhur me formimin e qeverisë së këtij vendi.

Komisionari i Bashkimit Evropian Johannes Hahn dhe euro parlamentarët Eduard Kukan, Knut Fleckenstein dhe Ivo Vajgl, qëndruan të martën në Shkup për të diskutuar me përfaqësuesit e partive politike për tejkalimin e situatës në vend. Presidenti Ivanov, nuk u takua me zyrtarët evropianë

Në një komunikatë të lëshuar në përfundim të takimeve, ata thanë se u kanë transmetuar udhëheqësve politikë, përfshirë edhe presidentin mesazhin se "duhet respektuar rezultatin e zgjedhjeve dhe se në demokraci secili duhet të njohë shumicën parlamentare".

"Së këndejmi në inkurajojmë presidentin që të rishqyrtojë urgjentisht qëndrimin e tij. Nuk ka kohë për të humbur. Tani presim nga të gjithë udhëheqësit politikë dhe institucionet që të lejojnë procesin demokratik të rrjedhë në rrugën e tij - në interes të qytetarëve. Zvarritjet e muajve të fundit tashmë e kanë dëmtuar ekonominë e vendit", thuhet në komunikatë.

Zoti Hahn bashkë me një grup euro parlamentarësh, arriti të martën në Shkup në një përpjekje për të ndihmuar daljen nga kriza politike të Maqedonisë e cila edhe pas më shumë se tre muajsh pas zgjedhjeve ende është pa qeveri.

Protestuesit hodhën parulla si "Nuk e japim Maqedoninë" dhe "nuk do të lejojmë shqiptarizimin e shtetit".

Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, ka refuzuar t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë shumicës së re parlamentare, përkatësisht Lidhjes Social Demokrate me partitë shqiptare, me arsyetimin se ato do të rrezikonin sovranitetin e shtetit duke zbatuar atë që ai dhe partia VMRO-DPMNE e quajnë “platforma e Tiranës”, e që ka të bëjë me avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Ndër pikat kryesore të marrëveshjes së partive shqiptare është zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjithë nivelin e pushtetit qendror.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, tha se partia e tij është duke përgatitur një dokument i cili do t’u ofrohet të gjitha partive më të mëdha, për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Ai nuk ka shpalosur hollësi të dokumentit që sipas tij, "nuk favorizon asnjë parti politike ndërsa ruan karakterin unitar të shtetit". Ai ka përsëritur qëndrimin për zgjedhje të parakohshme, por edhe gatishmërinë që t’i jep mbështetje LSDM-së për themelimin e qeverisë "nëse ajo heq dorë nga mbështetja për platformën e partive shqiptare".

Zyrtarët evropian bënë thirrje për formimin e shpejtë të qeverisë

"Në veçanti u bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga veprimet dhe deklarimet që mund të nxisin tensionet ndëretnike, apo dëmtojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore. Askush nuk duhet të tundohet që të luaj me zjarr. Ne jemi thellësisht të brengosur me tensionet dhe gjuhën e urrejtjes. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore në shoqëritë demokratike, por ato vijnë bashkë me përgjegjësitë".

Në të njëjtën mënyrë, thuhet më tej në komunikatë, "retorika negative që vë në shënjestër organizatat e komunitetit ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile, është plotësisht kundërproduktive. Kjo dëmton imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare, dhe besueshmërinë e atyre që e përdorin atë".

Zyrtarët evropian thanë se presin gjatë ditëve të ardhshme veprime që do të mundësojnë krijimin e shpejtë të një koalicioni të qëndrueshëm. "Kjo është mënyra e vetme për t'u rikthyer në rrugën evropiane, që qytetarët e Maqedonisë e duan dhe e meritojnë", thuhet në komunikatë.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe analistët thonë se acarimi i përplasjeve politike mund të dalë jashtë kontrollit, duke i rritur më tej tensionet etnike në një rajon të trazuar, siç është Ballkani perëndimorë.

XS
SM
MD
LG