Lidhje

Sllovenia kërkon hapjen e negociatave të BE-së me Tiranën dhe Shkupin deri në tetor


Kryeministri slloven, Janez Jansha, tha të martën se Bashkimi Evropian duhet t’u mundësojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të ecin përpara me bisedimet për anëtarësim deri në tetor, përpara një samiti të posaçëm me Ballkanin të organizuar nga Sllovenia, e cila nga 1 korriku mban presidencën e BE-së.

Megjithëse Bashkimi Evropian dha dritën jeshile në mars të vitit 2020 që të dy vendet e Ballkanit të fillojnë negociatat për anëtarësim, Bullgaria ka bllokuar përparimin e Maqedonisë së Veriut për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth gjuhës. Statusi i Shqipërisë është i lidhur me Maqedoninë e Veriut nga Bashkimi Evropian.

"Ne e dimë që Bashkimi Evropian hedh hapa të mëdhenj përpara kur përqendrohet në diçka", tha kryeministri Janez Jansha në një konferencë me gazetarë. "Nëse e vëmë lartë në rendin e ditës, do të jemi në gjendje të hedhim hapa konkretë përpara. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të përparojnë në samitin e ardhshëm në tetor nëse të gjithë përqendrohemi në atë", tha ai në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Takimi i nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është caktuar për datën 6 tetor në Slloveni. Kryeministri slloven e ka shpallur Ballkanin Perëndimor përparësi të kryesimit gjashtë mujor të BE-së.

Ai u tha eurodeputetëve se nëse Bashkimi Evropian nuk shënon përparim në angazhimin e tij në Ballkan, “këtë do ta bëjë dikush tjetër me vlera dhe interesa të tjera”.

Franca, Holanda dhe Danimarka janë ndër vendet e BE-së të ‘kujdesshme’ për procesin e "zgjerimit të BE", pas asaj që shumë besojnë se ishte anëtarësim i shpejtë i Rumanisë dhe Bullgarisë së dërmuar nga korrupsioni në vitin 2007. Shqipëria shihet gjithashtu si një nga vendet e korruptuara të Evropës që nuk ka arritur të luftojë pastrimin e parave.

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbajti të hënën një takim me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit në përpjekje për t'i dhënë frymë të re politikës së zgjerimit. Ajo tha se i sheh gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtare të ardhshme në Bashkimin Evropian “për arsye strategjike”, një këndvështrim që u mbështet nga kryeministri Jansha.

"Në Evropë, ekziston një mëdyshje nëse zgjerimi është me rëndësi strategjike apo jo. Mendimi im është se po”, tha ai, duke theksuar se se BE-ja është tkurrur pas largimit të Britanisë së Madhe. Ai gjithashtu tha se BE-ja qëndroi duarkryq ndërsa Rusia u vu në përpjekje për të penguar Gjeorgjinë dhe Ukrainën që të bashkohen në bllokun me 27 anëtarë.

Mosmarrëveshjet mes Sofjes dhe Shkupit lidhen me historinë dhe gjuhën. Bullgaria kërkon garanci se Maqedonia e Veriut nuk do të mbështesë asnjë pretendim ndaj një pakice maqedonase në Bullgari. Po ashtu kërkon që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e "gjuhës maqedonase", që thotë se rrjedh nga bullgarishtja.

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Reuters

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG