Lidhje

BE diskuton mbi gjendjen në Siri


Në Siri edhe sot kanë vazhduar luftimet në kryeqytetin Damask dhe në Aleppo. Udhëheqësit arabë po i premtojnë strehim presidentit Bashar al-Asad, në se ai bie dakord të largohet nga vendi. Shkallëzimi i dhunës në Siri dhe numri në rritje i refugjatëve kanë shkaktuar shqetësime se konflikti mund të përhapet në vendet fqinje, thanë sot në një takim Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, që miratuan një plan mbi inspektimin e të gjitha mallrave që hyjnë në Siri.

27 ministrat BE-së që u takuan në Bruksel miratuan një plan për zbatimin embargos ekzistuese të armëve ndaj Sirisë, duke u kërkuar vendeve anëtare të ndalojnë anijet dhe aeroplanmbajtëset me ngarkesa të dyshimta të cilat udhëtojnë në drejtim të vendit të përfshirë nga lufta.

Inspektimet do të bëhen vetëm në territorin, ose në ujërat territoriale të shteteve të BE-së. Ministrat gjithashtu shtuan 29 emra në një listë ekzistuese që përbëhet nga mbi 170 individë sirianë dhe kompani që besohet të jenë të lidhura me regjimin, ose përfitojnë nga regjimi.

BE ndaloi eksportet e armëve në Siri në maj të vitit 2011, por deri tani, 28 vendet anëtare kanë të drejtën të vendosin për inspektimin e ngarkesave që besohet se përbëjnë shkelje të embargos. Arsenali ushtarak i Sirisë e ka origjinën kryesisht nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe Rusia. Një sasi shumë e vogël e armëve të Sirisë importohen nga vendet perëndimore, duke bërë që embargoja e armëve e BE-së të ketë një ndikim të parëndësishëm për situatën në terren.

Ministrat gjithashtu shprehën vullnetin për të rritur mbështetjen për opozitën siriane dhe diskutuan mbi rolin e BE-së në Siri pas largimit së presidentit Assad nga pushteti.

“Ne tani duhet të rrisim ndihmën humanitare për njerëzit jashtë kufijve, si ata që pashë në Jordani javën e kaluar, duhet t’i japim më shumë mbështetje praktike opozitës siriane, përfshirë përgatitjen e tyre për gjendjen pas largimit të Assadit”, - tha Ministri i Jashtëm britanik William Hague.

Sipas një deklarate të publikuar nga zyra e tij, Ministri i Jashtëm izraelit Avigdor Lieberman iu bashkua thirrjeve të Këshillit të Evropës në Bruksel për shtimin e sigurisë në aeroporte dhe në vendet që vizitohen shpesh nga izraelitët. Thirrja vjen pas një sulmi vetëvrasës me bombë javën e kaluar në qytetin turistik bullgar, Burgas, ku pesë izraelitë dhe një shofer autobusi u vranë, vetëm disa ditë para hapjes së Lojrave Olimpike në Londër.








XS
SM
MD
LG