Lidhje

Poloni, diskutime mbi të ardhmen evropiane të Ballkanit


Ministra nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, u takuan të enjten në Poznan të Polonisë me kolegët e tyre nga disa vende anëtare të BE-së, për të diskutuar mbi procesin e anëtarësimit në bllok.

Takimi në Poznan është në vazhdën e atij që është quajtur procesi i Berlinit, i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014, për të demonstruar përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj aspiratave të rajonit për anëtarësim.

Ministrat e Jashtëm, të Brendshëm dhe të Ekonomisë nga vendet me statusin e kandidatit, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria si dhe të dy vendeve që synojnë këtë status, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova, po kërkojnë garanci se rruga e anëtarësimit është e hapur, pasi që disa udhëheqës evropiane ngritën mëdyshjet për gatishmërinë e BE-së për t’u zgjeruar.

Të hënën presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se “do të refuzoj çfarëdo zgjerimi para se të kryhen reforma të thella në funksionimin institucional të Bashkimit Evropian”.

Zgjerimi kërkon mbështetje të njëzëshme të anëtarëve aktual të BE-së.

Ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz, tha të enjten se përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të rriste qëndrueshmërinë rajonale dhe do të shpërndante vlerat e BE-së.

“Pa Ballkanin Perëndimor, Evropa nuk mund të shihet si e plotë dhe e bashkuar as në pikëpamje gjeografike e as gjeopolitike”, tha ai.

Të premten takimit pritet t'i bashkohen edhe kancelaria gjermane, Angela Merkel, kryeministrja britanike Theresa May, presidenti polak Andrzej Duda dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki.

Serbia dhe Mali i Zi, llogariten si favorit ndërsa Maqedonia e Veriut shpreson që marrëveshja me Greqinë rreth emrit të saj, do t’i hapë dyert e BE-së.

Shqipëria pret që të marrë datën e fillimit të negociatave në vjeshtë bashkë me Maqedoninë e Veriut, por shumë kush druan se kriza aktuale politike mund të zvarris këtë proces.

Serbia ndonëse e cilësuar si favorite, nuk mund të përparojë në proces pa një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha të enjten në Poznan se “duke pasur parasysh se natyra e marrëdhënieve në rajonin e Ballkanit Perëndimor është komplekse, e ndërtuar mbi mosbesimin dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme, integrimi socio-ekonomik bëhet akoma më i vështirë dhe shumë më i pastrukturuar. Ne nuk mund të ndërtojmë marrëdhënie bashkëpunuese në Ballkan përderisa e mohojmë të kaluarën dhe prandaj procesi i pajtimit mbetet i bllokuar. Ne nuk e kemi ndërtuar të ardhmen derisa të vendoset paqja për viktimat e së kaluarës”, tha zoti Pacolli.

RCC: Rritet mbështetja ndaj integrimeve në BE në Ballkanin Perëndimor

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, vlerëson se sipas anketave të tij, anëtarësimin në Bashkimin Evropian e përkrahin 56 për qind të qytetarëve dhe 64 për qind e kompanive në Ballkanin Perëndimor.

Pohimet janë pjesë e hulumtimit “Barometri i Ballkanit” që u publikua gjatë takimit në Poznan.

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit, Majlinda Bregu, tha se për herë të parë, pas pesë vjetësh, më shumë se gjysma e qytetarëve të anketuar e përkrahin integrimin evropian të rajonit. Në një studim të vitit 2015, thuhej se anëtarësimin në BE e kishin përkrahur 42 për qind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG