Lidhje

70-vjetori i NATO-s dhe thirrjet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalimit me rastin e 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalimit me rastin e 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s

Më 4 prill të vitit 2019, vendet anëtare të NATO-s do të shënojnë 70-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Atlantikut të Veriut, pjesë e një përpjekjeje të suksesshme për të përmbajtur ekspansionizmin sovjetik dhe për t'i dhënë zemër vendeve të shkatërruara nga lufta në Evropën Perëndimore për të braktisur armiqësitë e lashta dhe për të krijuar solidaritet mes tyre.

Por, për vazhdimësinë e aleancës transatlantike, Evropa do të duhet të japë një kontribut më të madh dhe të ndajë më shumë barrën financiare, paralajmërojnë analistët.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, NATO shfaqi paqartësi në lidhje me rolin e saj, por kthimi i agresivitetit të Rusisë nën drejtimin e Presidentit Vladimir Putin e ka ndryshuar pjesërisht këtë dhe mbështetësit e aleancës thonë se roli tradicional i NATO-s për sigurinë kolektive nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm.

Megjithatë, aleanca SHBA-Evropë është tronditur nga komentet e herë pas hershme të Presidentit Donald Trump në takimet me udhëheqësit evropianë, të cilat ngrejnë pikëpyetje mbi vlerën e paktit transatlantik, si dhe nga komentet në Twitter.

Dorëheqja në dhjetor e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Jim Mattis nënvizoi lidhjet e tensionuara mes administratës së Presidentit Trump dhe aleatëve evropianë.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Sekretari i Mbrojtjes në largim thoshte: "Një nga besimet thelbësore që kam ruajtur gjithmonë është se forca e vendit tonë është e ndërlidhur me forcën e sistemit unik dhe gjithëpërfshirës të aleancave dhe partneriteteve tona. Ndërsa Shtetet e Bashkuara mbeten vendi më i domosdoshëm në botën e lirë, ne nuk mund t'i mbrojmë interesat tona apo t'u shërbejmë atyre në mënyrë efektive pa ruajtur aleancat tona të forta dhe pa treguar respekt për vendet aleate".

Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis
Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis

Disa javë para dorëheqjes së zotit Mattis, Presidenti Trump sugjeroi se mund të shkurtonte nivelin e trupave amerikane në Evropë, nëse aleatët europianë nuk do të rrisnin shpenzimet e tyre ushtarake. "Ata po na dëmtojnë me NATO-n," tha Presidenti Trump gjatë një fjalimi në Montana.

Korrikun e kaluar, gjatë vizitës së tij në takimin vjetor të aleatëve të NATO-s në Bruksel, Presidenti Trump shprehu zhgënjimin e tij me kancelaren gjermane Angela Merkel lidhur me një tubacion të gazsjellësit nëntokësor të Rusisë në Gjermani, duke thënë: "Ne duam t'ju mbrojmë nga Rusia, por Gjermania po bën marrëveshje me Rusinë. Më tregoni nëse kjo është e përshtatshme. Ma shpjegoni këtë. "

Mosmarrëveshje të forta mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës ka patur edhe për çështjen e Iranit dhe vendimin e Uashingtonit për t'u tërhequr nga një pakt për kontrollin e armëve bërthamore me Rusinë, si reagim ndaj pretendimeve për shkelje të marrëveshjes nga Moska. Uashingtoni gjithashtu ka shprehur zhgënjim në rritje me partnerët evropianë për atë që e sheh si një qëndrim të dobët për kërcënimet kineze ndaj sigurisë së Perëndimit.

Përplasje të tilla kanë shtuar pasigurinë për të ardhmen e NATO-s, e cila është e bazuar në garantimin e sigurisë së Evropës nga Shtetet e Bashkuara.

Në lidhje tensionet aktuale në marrëdhëniet transatlantike, mediat kanë përqëndruar vëmendjen kryesisht në stilin karakteristik konfrontues të Presidentit Trump. Gazetat europiane kanë vënë në pah mosbesimin e përgjithshëm të udhëheqësit amerikan ndaj organizatave shumëkombëshe dhe dëshiron kthimin e shteteve të fuqishme dhe të pavarura që merren me njëri-tjetrin në mënyrë dypalëshe, e jo përmes organizatave ndërkombëtare.

Por, disa analistë thonë se problemet me aleancën e kanë zanafillën përpara Presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara dhe thelbi i tensioneve ka qenë hezitimi evropian për të ndihmuar në ribalancimin e NATO-s. "Arsyet më të thella për këtë pasiguri janë më të vjetra se sa Presidenca e tij (zotit Trump)", thekson Hans Kundnani, i organizatës "Chatham House" me seli në Britani.

Ai thotë se Evropa nuk ka respektuar pjesën e saj të marrëveshjes. Edhe përpara se zoti Trump të zgjidhej President, në Uashington kishte një konsensus se, ndërsa Shtetet e Bashkuara gjithnjë e më shumë po fokusoheshin në Azi, Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e vet. Presidentët përpara zotit Trump, përfshirë paraardhësin e tij Barak Obama, kanë nxitur anëtarët evropianë që të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe të ndajnë më shumë barrën.

"Duket mjaft e qartë se mënyra e vetme që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të garantojnë sigurinë e Evropës në aspektin afatgjatë është që evropianët të japin një kontribut më të madh për sigurinë e tyre", thotë analisti Kundnani.

Dhe Presidenti amerikan ka mbrojtësit e tij kur është fjala për qasjen e tij ndaj NATO-s, si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Evropë, të cilët thonë se stili konfrontues i zotit Trump mund të jetë mënyra e vetme për të shkundur anëtarët evropianë të aleancës.

Shumë prej institucioneve ushtarake dhe të shërbimeve të zbulimit të Britanisë kanë mbështetur ankesat e Presidentit Trump. Një grup i përbërë nga tetë ish-krerë ushtarakë dhe të shërbimeve britanike të zbulimit, kanë shprehur shqetësimin e tyre se Britania mund të humbasë rolin e një fuqie ushtarake "të nivelit të parë", dhe se kritikat e udhëheqësit amerikan ndaj evropianëve (dhe kanadezëve) mbi ndarjen e barrës janë të vlefshme.

Ata thonë se kërcënimet me të cilat përballet Perëndimi kërkojnë rritje të shpenzimeve ushtarake, megjithëse Britania është një nga vetëm katër vendet evropiane që tashmë ka përmbushur kontributin e saj në shpenzimet për mbrojtjen në nivelin dy përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Gatishmëria luftarake në të gjitha nivelet e forcave evropiane është mjerisht e papërshtatshme.

Vitin e kaluar, komisioneri ushtarak i parlamentit gjerman lëshoi një raport të ashpër mbi gatishmërinë e forcave të armatosura të Gjermanisë, duke vënë në dukje se vetëm një pjesë e sistemeve kryesore të armëve ishte operacionale. Në fund të vitit 2017, të gjashta nëndetëset e marinës ishin jashtë funksionit dhe asnjë nga aeroplanët e mëdhenj të transportit të forcave ajrore nuk ishin gati për dislokim për shkak të riparimeve. Më shumë se 20,000 vende pune për oficerë dhe personel ushtarakë ishin të paplotësuara. Shumë avionë luftarakë, tanke dhe anije janë të vjetruara ose në gjendje të keqe, thuhej në raportin e komisionerit të ushtrisë gjermane.

Raporti i bënte thirrje qeverisë të fillojë reformat "me urgjencë më të madhe" dhe të rrisë shpenzimet në fushën e mbrojtjes.

Përballë kritikave të Shteteve të Bashkuara, është shfaqur një përçarje mes politikbërësve europianë. Në njërën anë është grupi i atyre që thonë se duhet të merren parasysh interesat e Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara transatlantike dhe në anën tjetër janë zyrtarët dhe udhëheqësit që duan të miratojnë një strategji më agresive "Evropa e Para", si një kundërpeshë ndaj qasjes së Presidentit Trump, "Amerika e Para".

Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbështetur idenë për krijimin e një ushtrie të Evropës dhe bisedimet për nevojën e çlirimit të Evropës nga ndërvarësia ushtarake tek Amerika. Por, Britania dhe Gjermania janë thellësisht skeptikë ndaj idesë së Presidentit Macron për një ushtri të tillë. Skeptikët thonë se një ushtri e tillë kurrë nuk do të mund të kompensonte fuqinë ushtarake amerikane dhe rëndësinë e saj për mbrojtjen evropiane. Të tjerë theksojnë se kjo do të rezultonte me një nevojë për rritje dramatike të shpenzimeve të mbrojtjes nga qeveritë evropiane.

Shtetet e Evropës Qendrore, që janë shumë më afër Rusisë kanë besim më të madh në garancinë amerikane të sigurisë sesa në fqinjët e tyre perëndimorë, për arsye të mirëqena historike, thonë ata. Dhe pavarësisht kritikave të ashpra të Presidentit Trump nga anëtarët evropianë të NATO-s, ata vënë në dukje se Uashingtoni mbetet i angazhuar për zgjerimin e një pranie ushtarake në Detin e Zi, shtetet baltike dhe Poloni dhe mbështet Ukrainën në konfliktin e saj me Rusinë.

Të hënën, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi një marrëveshje për të investuar 260 milionë dollarë për ndërtimin e një depoje ushtarake në Poloninë qendrore në mbështetje të forcave amerikane që veprojnë në rajon. "Kjo do të financonte magazinimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve ushtarake të pozicionuara paraprakisht, të cilat do të përshpejtojnë përforcimet për Evropën", tha Stoltenberg gjatë një konference shtypi në selinë e aleancës në Bruksel.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG