Lidhje

Mënyrat e luftës kundër ekstremizmit


Në vitin 2003, departamenti i policisë të qytetit New York krijoi një njësi të fshehtë duke dërguar policë pa uniformë në biznese myslimane, shoqata studentore, bamirëse, dhe xhami për të spinuar komunitetin islam.

Nën drejtimin e një oficeri të CIA-s, "Njësia Demografia" synonte të identifikonte vendet e mundshme ku një terrorist mund të bashkohej me popullsi myslimane në rajonin e New York-ut.

SHBA jetonte ende me tronditjen e sulmeve të 11 Shtatorit 2001 dhe përpiqej për të gjetur një pikëmbështetje në peisazhin e transformuar me shpejtësi të kundërterrorizmit.

Sipas një raporti të "American Civil Liberties Union", oficerëve të policisë iu tha që të angazhoheshin në biseda me udhëheqës myslimanë të komunitetit, studentë, adhurues në xhami dhe shoqata islamike dhe të përpiqeshin të mësonin se çfarë mendonin ata për SHBA-në dhe politikën e jashtme. Ata krijuan harta, morën fotografi dhe ndërtuan një bazë të dhënash të lagjeve ku kishte një numër të konsiderueshëm njerëzish të klasifikuar “me prejardhe interesante" nga 28 grupe të ndryshme.

Rezultati ishte krijimi i një baze të dhënash që tregonte se ku jetonin myslimanët, dyqanet, xhamitë dhe vendet e tyre të punës.

Një publikim i këtij programi nga Associated Press në vitin 2011 shkaktoi një reagim të ashpër, si dhe dy padi federale të cilat u zgjidhën në gjykatë. Gjatë dëshmisë, ndihmës shefi i policisë Thomas Galati pranoi se asnjë nga informacionet e mbledhura nga programi i mbikqyrjes nuk çoi në ndonjë hetim.

Në vitin 2014, Kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, e shpërbëu Njësinë Demografike.

Të metat e programit

Ideja e mbikqyrjes në masë nuk është braktisur. Pas sulmeve të grupit Shteti Islamik në Paris nëntorin e kaluar dhe publikimin e një videoje që linte të kuptohej se radhën e kishte Nju Jorku, kandidati i pritshëm republikan për president, Donald Trump i sugjeroi qytetit rifillimin e programit. Pak ditë më parë, zoti Trump e përmendi përsëri mbikëqyrjen e xhamive dhe komuniteteve myslimane, pas ngjarjes së Orlandos, ku një njeri që e quante veten besnik të ISIS-t hapi zjarr në një klub, duke vrarë 49 vetë.

"Zbatimi i ligjit duhet të fokusohet në veprimtari kriminale dhe jo në ideologji", thotë Faiza Patel e Qendrës Brennan për Drejtësinë në Universitetin e New Yorkut. "Mendoj se ideologjia largon vemendjen nga ajo që duhet bërë për të zbuluar komplote terroriste," tha zonja Patel për Zërin e Amerikës.

"Supozoni nëse policët vendosin të godasin mafian, duke hyrë në çdo shtëpi italiano-amerikane në kërkim të dëshmive se dikush në një familje punon për mafian", shkrunate prof. Patel në vitin 2015. "Motivi i policisë është të luftojë krimin e organizuar. Por metoda e arritjes së këtij objektivi, duke vënë në shënjestër një grup të veçantë etnik, shkel garancitë e Kushtetutës për mbrojtje të barabartë.”

Zonja Patel thotë se programi ka pasur një efekt frenues mbi komunitetin mysliman në Nju Jork. Xhamitë kanë qenë tradicionalisht vende të hapura dhe mikpritëse për të huajt. Tani të ftuarit dhe vizitorët shpesh shihen me dyshim. Të gjithë e shohin njeri-tjetrin me frikë.

"Ajo që kemi parë dhe ajo që është dokumentuar tregon se njerëzit nuk e përdorin më xhaminë si qendër të komunitetit,” i tha ajo Zërit të Amerikës. "Pra, ata shkojnë në xhami dhe përmbushin detyrimet e tyre fetare, por më pas shkojnë menjëherë në shtëpi."

Profesore Patel thotë se si rezultat, komuniteti mysliman po humbet aftësinë për të ruajtur veten.

"Komuniteti Mysliman amerikan gjithmonë ka njoftuar policinë kur ka patur shqetësime të vërteta," tha ajo. "Një studim i vitit 2011 tregonte se 40 përqind e komploteve terroriste ishin penguar falë kallëzimeve nga komuniteti mysliman."

Familjet e forta dhe komunitetet

Të gjithë ekspertët e Zërit të Amerikës që folën pajtohen se zbatimi i ligjit ka rol kritik në luftën kundër ekstremizmit. Por ata besojnë se ky rol duhet të fillojë kur dyshohet se mund të ndodhë një krim.

Ata thonë se një pjesë e madhe e zgjidhjes vjen nga komunitetet e forta dhe familjet, nga fuqizimi i tyre për t’u kujdesur për veten. Ata argumentojnë se survejimi dhe shtimi i policëve krijojnë një klimë frike dhe mosbesimi që e bëjnë këtë gjë të pamundur.

Xhamitë në SHBA tradicionalisht kanë pasur të gjitha llojet e programeve për të rinjtë dhe të rriturit. Çdo gjë, që nga programet sportive pas-shkollore deri në klasa me temë se si duhet balancuar buxheti i familjes. Është pikërisht në këto mjedise ku ndërtohet besimi dhe një mentor mund të ndihmojë një familje, për shembull nëse dikush ka shprehur prirje radikale.

"Këta njerëz radikalë duhen identifikuar sa më herët", thotë Seth Jones ekspert për terrorizmin në Korporatën Rand. "Pra, pyetja është cili mund të ketë një ndikim pozitiv ndaj këtyre individëve. Gjithashtu kjo ka të bëjë me familjet. Familjet në përgjithësi janë elemente kritike në sjelljen e njerëzve", thotë eksperti.

FBI-ja e kishte Omar Mateen – sulmuesin në Orlando - nën mbikqyrje për 10 muaj. Ai u intervistua nga agjentët tri herë, dhe nuk u gjetën të dhëna se do të shkonte në një klub nate të homoseksualëve dhe do të vriste 49 njerëz.

Por tani ka prova se gruaja e tij e dinte që po përgatitej një komplot. Thuhet se ajo ajo ishte me Mateen ndërsa ai kërkonte objektivat e mundshme si vendpushimi në Disney World, një qendër tregtare, dhe klubi Pulse, skena e vrasjeve.

Babai i tij dhe të tjerë që punonin me Mateen shprehën gjithashtu shqetësim.

Sipas FBI-së, në 50 për qind të rasteve të terrorizmit, një anëtar i familjes e ka ditur se i afërmi i tyre ishte radikalizuar por nuk dinte se çfarë të bënte me këtë konstatim.

Anne Spekhard, psikologe dhe Drejtore e Qendrës Ndërkombëtare për Studimin e ekstremizmit të dhunshëm, thotë se ekipet e ndërhyrjes së shpejtë, të informuar me linjat telefonike të emergjencës mund të fuqizojnë familjet dhe komunitetet dhe të jenë mjete të fuqishme për të luftuar ekstremizmin.

XS
SM
MD
LG