Lidhje

Vazhdojnë tensionet pas vendimit për çështjen Ferguson


Kudo në SHBA ka patur trazira dhe protesta duke filluar nga e marta mbrëma, pas vendimit të një jurie për të mos ngritur padi ndaj një polici të bardhë i cili vrau një të ri afrikano-amerikan të paarmatosur në Ferguson të shtetit Mizuri.

Vrasja e 18-vjeçarit Michael Brown në gusht të këtij viti ka ndezur tensionet në qytet dhe ka ngritur shqetësime në lidhje me dhunën policore dhe diskriminimit racial në këtë periferi kryesisht afrikano-amerikane të St Louisit.

Rrjeti CNN njofton se protesta që lidhen me ngjarjet në Ferguson ka patur në 170 qytete amerikane.

Protestuesit marshuan nëpër qytetin e New Yorkut dhe në lagjen Harlem, duke u përpjekur të bllokonin urat dhe tunelet që çojnë në qytet. Policia përdori spërkatësit me piper për të shpërndarë turmat.

Në Oakland të Kalifornisë, protestuesit penguan trafikun në një autostradë ndërsa në Atlanta të shtetit Georgia policia arrestoi 21 protestues të cilët kishin bllokuar trafikun. Policia përdori spërkatësit me piper kundër marshuesve në Denver të Kolorados dhe Portland të Oregonit.

Një korrespondente e Zërit të Amerikës në Ferguson, tha se nuk ka pasur grabitje në shkallë të gjerë të dyqaneve, si ato që u panë natën e parë të protestave, kur iu vu zjarri mbi 10 ndërtesave.

Të martën mbrëma, në Ferguson u vendosën rreth 2000 trupa të policisë dhe të Gardës Kombëtare për të parandaluar raste të tjera dhune.

DEKLARATAT E OFICERIT TË POLICISË

Oficeri Wilson u tha hetuesve se ai ishte përleshur me Brown-in, që ishte përpjekur t’i merrte armën dhe kishte menduar se djali donte ta qëllonte me armën e tij (të policit).

Kjo deklaratë është përfshirë në mbi 6 mijë faqe të dokumenteve të gjykatës, që prokurorët i bënë të njohura të hënën në mbrëmje, pas dhënies së njoftimit se ndaj policit nuk do të ngriheshin akuza.

Wilson iu përgjigj pyetjeve të hetuesve më 10 gusht, ditën që ai vrau 18-vjeçarin Michael Brown.

Ai tha se në një moment të caktuar djali kishte kontrollin e armës.

Oficeri Wilson tha se gjatë ballafaqimit mes tyre, ai kishte menduar se Brown mund ta vriste.

Varianti i ngjarjes së treguar nga Wilson-i është tërësisht i ndryshëm nga thëniet që kanë qarkulluar lidhur me incidentin.

Avokatët e familjes së viktimës thanë se Michael Brown po përpiqej të dorëzohej, në mometin kur oficeri Wilson e qëlloi për vdekje.

Vendimi i jurisë së madhe të shtetit të Mizurit për të mos ngritur padi ndaj policit të bardhë Darren Wilson për vrasjen e adoleshentit afrikano-amerikan Michael Brown, shkaktoi dhunë dhe shkatërrime të mëtejshme në Ferguson të Mizurit. Megjithë thirrjet e udhëheqësve të komunitetit, reagimi nuk ishte aspak paqësor.

Prokurori i distriktit Seint Ljuis, Robert McCulloch, njoftoi të hënën se juria e madhe nuk gjeti baza për të ngritur akuza ndaj oficerit Darren Wilson.

“Ata vendosën se nuk ka një shkak të mundshëm për të ngritur akuza ndaj oficerit Wilson dhe iu përgjigjën negativisht të pesë akuzave të mundshme të propozuara. Provat fizike dhe ligjore të shqyrtuara nga juria, në kombinim me deklaratat e dëshmitarëve, rrëfejnë historinë e saktë dhe tragjike të ndodhisë.”

Presidenti Barack Obama mbajti një konferencë për shtyp menjëherë pas njoftimit, duke bërë thirrje për qetësi:

“Ne jemi mbi të gjitha një komb i ndërtuar mbi funksionimin e shtetit ligjor. Prandaj na duhet ta pranojmë se ky vendim i takonte jurisë ta merrte. Ka amerikanë që bien dakord me të, dhe ka amerikanë që janë thellësisht të zhgënjyer, madje edhe të zemëruar. Është një reagim i kuptueshëm. Por, unë iu bashkohem prindërve të Michael Brownit, duke u kërkuar atyre që do të protestojnë kundër vendimit, që ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore.”

Familja e adoleshentit të vrarë bëri thirrje për vetëpërmbajtje, por u shpreh në një deklaratë se ishte “thellësisht e zhgënjyer” nga vendimi.

Reagimi ndaj vendimit për të mos ngritur akuza ndaj oficerit Darren Wilson, ishte dhunë pothuajse e menjëherëshme nga disa pjesëtarë të turmës që u mblodhën para Departamentit të Policisë në Ferguson.

Policia reagoi duke lëshuar gaz lotsjellës ...dhe protestuesit u përgjigjën duke ndezur zjarre.

Dy makina policie u përfshinë krejtësisht nga flakët dhe kjo ndodh ndërsa policia e ndërhyrjes së shpejtë u dislokua, në gatishmëri për t’u përgjigjur ndaj çfarëdo veprimi të dhunshëm të protestuesve.

Nuk është e qartë se pse autoritetet vendosën që ta shpallnin vendimin e jurisë së madhe në mbrëmje vonë, një hap ky që duket se u dha më shumë krahë shumë prej protestuesve që iu kthyen veprimeve të dhunshme.

Kur zjarret të shuhen dhe dhuna të ndalet, Fergusoni do duhet të rindërtohet, duke riparuar strukturat e dëmtuara, shkatërruara apo plaçkitura, dhe duke përmirësuar marrëdhëniet mes forcës së policisë dhe qytetarëve.

Në Oakland dhe Çikago, protestuesit vërshuan në autostrada, duke bllokuar makinat dhe duke ecur me duart lart. Një turmë e vogël protestuesish u mblodh jashtë Shtëpisë së Bardhë.

XS
SM
MD
LG