Lidhje

Filipine, lufta ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit


Presidenti i ri i Filipineve, Rodrigo Duterte, kreu sot betimin në detyrën e lartë. I njohur për ashpërsinë e tij ndaj kriminalitetit, ai përsëriti zotimin e tij për të eliminuar korrupsionin dhe drogat. Duterte u bë i njohur në mbarë vendin kur ishte kryetar i bashkisë së qytetit Davao, në të cilin uli me 75% nivelin e kriminalitetit gjatë dy dekadave të qëndrimit të tij në detyrë.

Një zyrtar i njohur për ashpërsinë me të cilën zbatonte ligjet në qytetin e tij, filloi sot detyrën si president i Filipineve, duke u zotuar të jetë po aq i ashpër ndaj krimeve edhe në nivel kombëtar. 71 vjeçari Rodrigo Duterte, i cili nuk ka mbajtur më parë post në nivel kombëtar, u zgjodh kryesisht për suksesin në uljen e nivelit të krimeve në Davao, qyteti i dytë më i madh i Filipineve, ku ai ishte kryetar i bashkisë. Qyteti më parë ishte qendër e shitjes së drogave dhe qendër e një grupi të dhunshëm të majtë. Presidenti i ri u zotua gjatë fjalimit të përurimit në Manila, të eliminojë korrupsionin dhe drogat.

“Shoh humbjen e besimit në udhëheqësit e vendit, humbjen e besimit në sistemin gjyqësor, dhe tek aftësia e punonjësve të administratës për ta bërë jetën tonë më të mirë.”

Ai po ashtu foli edhe rreth dyshimeve të forta që ekzistojnë për të se ka përdorur skuadra ekzekutimi për të vrarë kriminelët pa gjyq. Ai tha se “e di se ka nga ata që nuk i pranojnë metodat e mia për të luftuar krimin, drogat dhe korrupsionin. Si avokat dhe ish prokuror, jam i ndërgjegjshëm pëër kufizimet e postit të presidentit, por ju shikoni punën tuaj, dhe unë do të shikoj timen, e di se çfarë është e ligjshme dhe çfarë jo”, u shpreh presidenti i ri me gjuhën e tij të ashpër që e karakterizon.

Disa banorë të Davaos dhe si dhe politikanë filipinas, besojnë se Duterte i njohur me nofkën “ndëshkuesi”, ka urdhëruar vrasje pas gjyq për të ndaluar krimin. Shumë banorë në qytetin prej 1.6 milionësh thonë se e falin për këto metoda dhe të tjera që ai ka përdorur, përsa kohë që ai e ka bërë qytetin të sigurtë.

“Vendosja e interesave personale në funksion të së mirës publike, të përkujdesit për të varfërit dhe të pafuqishmit; këto janë disa nga vlerat që dua të rigjallëroj ndërsa po fillojmë rrugëtimin drejt një vendi më të mirë.”

Drogat në qytet janë ulur me 75 për qind gjatë qeverisjes së tij 22 vjeçare dhe grupi i majtë rebel, sot jetën i fshehur në male, sipas një zyrtari të qytetit. Në fjalimin e të enjtes, presidenti kërkoi transparencë për qeverisjen.

XS
SM
MD
LG