Lidhje

Filmi “Hunger Games, Catching Fire”


Filmi i dytë i trilogjisë The Hunger Games, i bazuar në librin e autores Susan Collins me të njëjtin titull, po shfaqet në kinema kudo në botë. Hunger Games, Catching Fire, një film me aktorë të arrirë dhe një histori të guximshme, po magjeps publikun, sidomos adoleshentët, ndërsa u jep atyre mësime për jetën.

“Zonja Everdeen, ti luftove shumë mirë në arenë. Por ato ishin lojëra. A do të doje të ishe pjesë e një lufte të vërtetë?”

Fituesja e një çmimi Oscar, Jennifer Lawrence, rikthehet më e fortë se kurrë si Katniss Everdeen në filmin The Hunger Games, Catching Fire.

Vajza u bë simbol i çlirimit nga tirania e presidentit të paskrupullt të Panemit, Snow, i interpretuar nga legjendari Donald Sutherland.

“Ajo është kthyer në një shpresë për ta. Ajo duhet eliminuar”.

Snow ndërhyn për të vënë Katnissën kundër fituesve të mëparshëm të Hunger Games brenda arenës vdekjeprurëse.

“Ky është përvjetori i 75 i Lojrave të Urisë. Dhuratat do të merren nga fituesit e deritanishëm”.

“Është një histori e mrekullueshme e një vajze e cila nuk dëshiron të jetë një heroinë, por e gjen veten në situatën ku detyrohet të bëhet.”

Heronjtë e filmit Catching Fire jetojnë në një mjedis të zymtë dhe të rrezikshëm, brenda dhe jashtë arenës, në distriktet e varfër të shtetit të Panemit.

Snow dëshiron që Katnissa të qetësojë turmat, por është tepër vonë. Filmi, i krijuar kryesisht për të rinjtë, nxjerr në pah ndarjet racore dhe të klasave në shtetin e errët të Panemit. Edhe pse një film i zymtë dhe i përgjakshëm, Catching Fire nuk lartëson dhunën, por ekspozon anën e shëmtuar të saj dhe pasojat e hidhura të një lufte, pavarësisht sa e nevojshme mund të jetë.

Filmi nxit gjithashtu një lloj të ri heroine: të fortë dhe të shkathët, të pasionuar dhe zemërdhembsur. As joshëse dhe as djaloshare, Katnissa mund të jetë edhe e frikësuar por edhe e patrembur.

Willow Shields është një 13 vjeçare fatlume, sepse është zgjedhur për rolin e Primrosës, motrës së Katnissës. Ajo i tha Zërit të Amerikës se personazhi i çiltër i Jennifer Lawrence në ekran tregon një njeri të sinqertë.

“Ajo nuk ka nevojë të përpiqet. Asaj nuk i pëlqen t’i përshtatet imazhit të rëndomtë të një njeriu të famshëm. Kështu që, është mirë që më në fund po shohim dikë që është vetvetja dhe që nuk është shumë e angazhuar në Hollivud.”

Ashtu si Jennifer Lawrence, Katniss është shndërruar, për të rinjtë, në një simbol i së vërtetës dhe i shpresës në një botë që është po aq me probleme si ajo e filmit.

XS
SM
MD
LG