Lidhje

Filmi “Paftuar” dhe emigracioni


Filmi “Paftuar”, i regjisorit shqiptaro-amerikan Roland Uruçi dhe producentit Julian Biba, trajton çështjen e emigrimit të shqiptarëve në Greqi gjatë viteve 1990. Në film përshkruhet trajtimi i keq i emigrantëve shqiptarë nga autoritetet greke. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, regjisori Roland Uruçi dhe producenti Julian Biba thonë se emigracioni është një çështje e ndjeshme jo vetëm për shqiptarët por edhe për shumë popuj të tjerë në botë. Më 3 mars filmi “Paftuar” do të shfaqet në Uashingtonit.

Filmi “Paftuar” dhe emigracioni
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:14 0:00

​Filmi me metrazh të shkurtër, “Paftuar” trajton vështirësitë që mijëra shqiptarë përjetuan në vitet 90 në përpjekje për të emigruar në Greqi. Regjisori Roland Uruçi thotë se filmi është i bazuar në historinë skenaristit Julian Biba si emigrant në Greqi dhe ato që ai ka parë gjatë viteve 90 kur shumë shqiptarë largoheshin nga vendi për shkak të gjendjes ekonomike dhe trazirave politike në vend.​

“Filmi është bërë në bazë të përvojës së shokut tim, Julianit, si mërgimtar në Greqi në vitet 1990 kur ekonomia në Shqipëri ishte shumë e dobët dhe atje kishte luftë civile. Pra filmi është realizuar në bazë të skenarit të Julianit dhe unë e përpunova atë për ta bërë më shumë si një film”.

Filmi përshkruan sfidat e një grupi emigrantësh nga Shqipëria të cilët gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin grek u kapën nga një njësi ushtarake greke. Në film portretizohen vuajtjet fizike dhe psikologjike të emgrantëve të keqtrajtuar nga autoritetet.

Bashkë-skenaristi dhe bashkë-producenti i filmit, Julian Biba thotë se është e vështirë të përshkruhen historitë e rënda të emigrantëve në një format të shkurtër filmi.

“Ne e kemi shtjelluar me aq mundësi sa na jepte formati i shkurtër që kishim sepse kjo është bazuar në skenarin e gjatë për një film të plotë. Për hapësirën që kishin ne bëmë maksimumin e arritjes. Aktorë shumë të talentuar që kishim e bënë edhe më të lehtë realizimin e filmit....”.

Filmi për herë të parë u shfaq në Festivalin DokuFest në Prizren dhe zgjoi kurreshtjen e audiencës në Kosovë. Regjisori Uruçi, familja e të cilit emigroi nga Dibra në Shtetet e Bashkuara kur ai ishte tre vjeç, thotë se njerëzit në Kosovë mund të identifikoheshin me temën e emigracionit dhe ishin shumë kurioz të mësonin mbi këtë histori të dhimbshme të imigrimt të shqiptarëve në Greqi.

“Në Kosovë filmi u prit shumë mirë në festivalin DokuFest në Prizren, aty ishte premiera e filmit. Shumë njerëz në Kosovë më pyesnin se përse kjo histori nuk është treguar më parë. Pra për shqiptarët kjo ishte pyetja kryesore. Ndërsa, të huajt që morën pjesë në këtë festival ishin të interesuar të mësonin më shumë për temën e emigracionit në përgjithësi pasi tani ka shumë emigrantë syrianë, kurdë dh nga vende të tjera. Pra, kishte dy audienca, ajo vendase dhe e huaja, të cilat kishin pikëpamje të ndryshme mbi këtë çështje”.

Për ta trajtuar më hollësisht këtë çështje, regjisori Uruçi dhe producenti Biba po mbledhin fonde për realizimin e filmit me metrazh të gjatë.

“Ne kemi një dëshirë të madhe të realizojmë filmin e plotë, me metrazh të gjatë, “Paftuar”, ku do ta shpalosim shumë më në detaje, shumë më gjërësisht këtë ngjarje, këtë situtatë, do ta trajtojmë këtë problem. Në momentin që ne do të arrijmë të krijojmë fondet e duhura, ne do të mund ta realizojmë këtë”.

Përveç premierës në festivalin Dokufest në Kosovë, filmi “Paftuar” është shfaqur para një audience private në Nju Jork. Më 3 mars filmi do të shfaqet në Uashington. Regjisori Uruçi dhe producenti Biba shpresojnë se shfaqjet e filmit “Paftuar” do t’u ndihmojnë të gjejnë mbështetje për të realizuar versionin e plotë të filmit.

XS
SM
MD
LG