Lidhje

Amerika nën kërcënimin e një beteje të re fiskale


Ndërkohë që nuk ka gjetur zgjidhje beteja për buxhetin në Uashington, republikanët në Kongres po ballafaqohen me një tjetër betejë fiskale: ngritjen e nivelit tavan të borxhit. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner këmbëngul se duhet të zhvillohen negociata për të mos lejuar që të skadojë afati. Megjithatë zoti Boehner ka hedhur poshtë mundësinë e një marrëveshjeje që do të përfshinte një kërkesë të rëndësishme për Presidentin Obama dhe demokratët në Kongres:

Ngërçi fiskal në Shtetet e Bashkuara pritet të rëndohet edhe më tej. Pezullimi i operacioneve qeveritare ka ndikim të kufizuar që ndjehet kryesisht brenda kufijve të Amerikës, por paaftësia e Amerikës për të shlyer detyrimet e borxhit publik mund të krijojë dallgë të trazuara që do të ndjeheshin në mbarë globin.

Qeveria federale do të arrijë javën e ardhshme nivelin maksimal të lejueshëm për borxhin publik. Nëse Kongresi nuk e rrit nivelin e lejueshëm, vendi mund të mos jetë në gjendje të paguajë detyrimet e borxhit dhe kredibiliteti i tij në tregjet financiare globale do të binte.

Dje, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner hodhi poshtë një votë të thjeshtë vetëm mbi nivelin tavan të borxhit, ashtu siç veproi edhe me votën për të mbajtur hapur qeverinë federale:

"Nuk do ta miratojmë një ligj të tillë. Nuk ka vota të mjaftueshme në Dhomën e Përfaqësuesve për të miratuar një ligj vetëm për nivelin tavan të borxhit”.

Në komentet për emisionin This Week të rrjetit ABC, zoti Boehner theksoi se nuk do që të skadojë afati për ngritjen e tavanit të borxhit. Por ai shtoi se një gjë e tillë është plotësisht e mundshme nëse nuk zhvillohen negociata mes republikanëve dhe demokratëve.

"Në këtë rrugë jemi futur. Unë jam gati për bisedime. Do të ulesha me këdo nga ana e demokratëve, që është seriozisht i gatshëm të bisedojë për të filluar punën për zgjidhjen e këtij problemi”.

Presidenti Obama dhe demokratët në Kongres thonë se mirëpresin bisedimet, por jo nën kërcënimin e mbylljes së qeverisë apo të një goditjeje ndaj ekonomisë. Ata thonë se bisedimet mbi një gamë të gjerë temash mund të rihapen, pasi të rifillojë funksionimi i plotë i qeverisë dhe të jetë miratuar rritja e nivelit tavan të borxhit.

Senatori demokrar Charles Schumer foli për rrjetin ABC.

"Duam të negociojmë pa pasur revolen në kokë. Nëse e tolerojmë këtë taktikë të mbajtjes peng të procesit politik, do të bëhet gjithnjë e më keq”.

Republikanët thonë se hedhja në votë e projekt-ligjeve vetëm për fondet qeveritare dhe rritjen e nivelit tavan të borxhit do të përbënin dorëheqje nga kapitali i tyre politik për të ndikuar tek e ardhmja fiskale e Amerikës.

Nëse do të zhvilloheshin negociata, do të dilnin në pah dallime të dukshme mes dy partive për rezultatin e dëshiruar. Republikanët duan të dobësojnë ligjin për kujdesin shëndetësor dhe të reduktojnë qeverinë federale. Demokratët e mbrojnë ligjin për kujdesin shëndetësor dhe kërkojnë shtimin e të ardhurave nga taksat në kuadër të një formule për të përmirësuar situatën fiskale të vendit.

Megjithëse këmbëngul për negociata, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner ka përjashtuar mundësinë e përmbushjes së një përparësie të demokratëve në çdo marrëveshje që mund të arrihet:

"Është shumë e thjeshtë, thotë ai, nuk do të ketë rritje taksash”.

Zoti Boehner vuri në dukje se po mblidhen taksa shtesë nga amerikanët me të ardhurat më të larta në kuadër të një marrëveshjeje që u arrit në përfundim të vitit të kaluar.

Një temë që gjen mbështetjen e të dyja partive: beteja lidhur me fondet për qeverinë federale po ndërthuret me betejën për rritjen e tavanit të borxhit. Por ende nuk ka marrë formë rruga për zgjidhjen e këtyre sfidave.
XS
SM
MD
LG