Lidhje

Stërvitja në monumentet kombëtare të SHBA


Nga monumentet ikonë të Uashingtonit, e deri tek shkëmbinjtë piktoreskë të Kolorados dhe shkallët e panumërta në Amfiteatrin Red Rocks të Filadelfias, një prirje e re fiskulture po zhvillohet, e lidhur me bukuritë dhe vendet e njohura historike të Shteteve të Bashkuara. Pjesëmarrësit në këto stërvitje thonë se pejsazhi i jashtëzakonshëm u jep frymëzim për të vazhduar stërvitjen rraskapitëse dhe për të motivuar njerëzit të mbajnë peshën e duhur.

Kjo lloj stërvitjeje ka tani mijëra pasues në të paktën 20 qytete. Ajo përfshin vende si Memorialin e Lincolnit në Uashington, Amfiteatrin Red Rocks pranë Denverit dhe shkallët që të çojnë në muzeun e Arteve në Filadelfia, i njohur për skenën e famshme në filmin Rocky ku personazhi i Sylvester Stalones bën stërvitjen e mëngjesit.

"Kur vjen këtu, merr energjinë dhe emocionin e qytetit të Filadelfias", thotë instruktorja, Lauren Krinis.​ "Kur ngjit shkallët, ndjehesh e motivuar pasi e shtyn veten të ngjitësh 72 shkallë dhe pastaj prek murin e muzeut të arteve dhe zbret. E ndjen energjinë e gjithë qytetit kur sheh përreth. "

"Më pëlqen natyra," thotë Rebecca Fabiano, e cila merr pjesë në klasën CoreFitness në Filadelfia.​ "Më pëlqen energjia që marr nga të gjithë vizitorët dhe gjithë ata që vijnë për të ngjitur dhe zbritur shkallët e Rocky-it. Më pëlqen sfida për të provuar veten."

Shkallët e shumta dhe platforma e gurtë në këto qendra është ideale për kërcime, ushtrime aerobie dhe ato për muskujt e krahëve.

“Është vend i mirë për fiskulturë. Je në natyrë, pranë qytetit dhe është struktura e duhur për të sfiduar veten në çdo kohë."

“Është një klasë e vështirë dhe takohemi këtu në Red Rocks. Grupi ka gati 300 anëtarë në një klasë," thotë Joe Hendricks me klubin Joe Fitness, që drejton një klasë në Amfiteatrin Red Rocks në Colorado. "Bëjmë stërvitje ekstreme. Zvarritemi mbrapsht, dhe bëjmë shumë lëvizje që ngrenë ritmin e zemrës në maksimum dhe pastaj e ulim tempin në një nga vendet e mrekullueshme, Amfiteatrin Red Rocks. Është shumë frymëzuese të jesh këtu.''

Disa parqe kanë vendosur kufizime për grupet stërvitore, duke kërkuar që klasat të jenë falas ose të kenë një numër të kufizuar pjesëmarrësish.

Zyrtarët e Shërbimit të Parkut Kombëtar thonë se parqet mund të luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin e njerëzve dhe të inkurajojnë stërvitjen. Por shumë monumente dhe memorialë kanë zona ku ndalohet vrapi dhe stërvitja në grup pasi synojnë të mbajnë një atmosferë reflektuese dhe medituese.

Megjithatë, parku National Mall, me memorialin e Lincolnit, mirëpret grupe stërvitore cdo të mërkurë në mëngjes.

"Fillimisht mendoj se pika tërheqëse për stërvitje në DC është Lincolni," thotë pjesëmarrësja, Jamie Lenney.​ " Sidomos njerëzit që e bëjnë këtë stërvitje në qytete të tjera, janë të ngazëllyer me të vërtetë për të ardhur këtu pranë monumentit të Lincolnit, për shkak të kësaj pamjeje piktoreske dhe fillimisht për këtë vijnë. Por, pas një farë kohe, këtu vjen vetëm për stërvitje."

XS
SM
MD
LG