Lidhje

Miratohet me debate marrëveshja me FMN


Opozita la sallën para votimit. Berisha: Po shkohet drejt skenarit grek. Kryeministri Rama: Marrëveshja do të garantojë rritje ekonomike

Parlamenti shqiptar miratoi mbrëmë vonë, vetëm me 76 vota të së majtës, marrëveshjen e kredisë më Fondin monetar ndërkombëtar. Qeveria foli për një akt që do të garantonte rikthimin e ekonomisë drejt ritmeve të rritjes, ndërkohë që sipas opozitës, e cila braktisi sallën, pak para votimit, vendi po shkonte drejt skenarit grek. Marrëveshja u miratua në përfundim të një seance me debate të ndezura mes palëve.

Kryeministri Edi Rama, gjatë ndërhyrjes së tij hodhi poshtë akuzat e opozitës për rritje të taksave. “Nuk do ketë taksa të reja dhe as rritje taksash në një vit ku kemi tërësisht nën kontroll të ardhurat dhe sot ato janë mbi planin qoftë në tatime, qoftë në dogana, në një vit ku ekonomia do të fillojë të performojë sidomos në pjesën e dytë të vitit”, deklaroi zoti Rama.

Por ish kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij, pasi kishte ndërhyre edhe disa herë të tjera gjatë seancës, foli për të dhëna shqetësuese të ekonomisë, të cilët sipas tij do të shtynin qeverinë që vitin e ardhshëm ose të shkurtonte rrogat e pensionet ose të falimentonte në pamundësi për të përballuar borxhin.

Këto dy pozicione tërësisht të kundërta mbizotëruan qëndrimet e palëve gjatë afër 11 orëve të seancës së djeshme. “Kjo marrëveshje mund të konsiderohet një lajm i keq për shqiptarët dhe do ta zhysë Shqipërinë në recession. Marrja e këtyre parave është e kushtëzuar me politika të papërshtatshme, qoftë për nga momenti ekonomik i vendit, qoftë nga fakti që drejtohemi nga një qeveria e papaftë. Qytetarët duan punë, dhe punësimi nuk vjen as me rritje taksash, as me ulje cmimesh, as me ulje investimesh”, deklaroi ish zwvendwsministri i Financave, deputeti demokrat Sherefedin Shehu.

Por ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi tërësisht të kundërtën:” Nuk do të rriten taksat. Nuk do të ulen pagat e as pensionet. Kushte e huasë nuk janë më të mirat, janë shumë herë më të mira nga kushtet e huasë që ju keni marrë. Janë 7 herë më të mira”.

Zoti Cani tha se qeveria u detyrua të kërkojë ndihmën e Fondit Monetar për shkak të situatës së rënduar ekonomike në të cilën sipas tij gendej vendi. Ai përmendi rënien e fortë të ritmeve të rritjes ekonomike dhe borxhet e larta që sic tha ai, u gjetën të trashëguara nga qeveria e mëparshme: “Aprovimi nga ana e bordit të FMN-së është më shumë siguri për ekonominë shqiptare, për biznesin e për individin. Huaja që miratojmë sot nuk ëhstë thjesht një mbështetje buxhetore me erma tejet të favorshme që na lehtëson të paguajmë borxhet ndaj biznesit. Është më tepër. Është një clirim për ekonominë, pa ndërhyrë në tregun e brendshëm të likuiditetit”.

Kredia e Fondit do të lëvrohet përgjatë tre viteve me këste tremujore, ndërsa periodikisht ekspertët e Fondit do të vlerësojnë ecurinë e ekonomisë dhe përmbushjen e objektivave për të cilat palët kanë rënë dakort që me buxhetin e këtij viti.
XS
SM
MD
LG